Sveçla për policin që vdiq në vendin e punës: Ishte i angazhuar në luftë kundër çdo lloj kriminaliteti

Polici, Rexhep Sejdiu, ka vdekur në vendin e punës në pikën kufitare në Jarinje.

E për vdekjen e tij, ngushëllime familjes i ka shprehur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai tha se Rexhep Sejdiu, do të kujtohet si zyrtar i përkushtuar e i palodhur.

“Të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiq”, tha Sveçla.

Sveçla tha se lajmin për vdekjen e Sejdiut e ka pranuar me pikëllim të thellë.

” Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”, theksoi ai.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre”, shtoi kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla.