Sveçlës i reagojnë nga presidenca: E ke gjetur vetën në prerjen e rrethojave, ty me të dhënë llogari presidenti?

Nga presidenca i reagojnë Sveçlës: E ke gjetur vetën në prerjen e rrethojave, ty me të dhënë llogari presidenti?

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sfeçla shfaqi dyshime se Presidenti i Kosovës e ka futur në Kosovë, ilegalisht, kreun e AKR-së dhe deputetin Behgjet Pacolli. Madje paralajmëroi edhe masa nëse Pacolli del në publik diku në Kosovë. E kontestoi edhe vizitën e Thaçit në Tiranë, për çka tha se ka qenë shkelje e protokollit shtetëror. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga presidenca.

Adil Behramaj, këshilltar i presidentit Thaçi, ka shkruar në Facebook, duke shprehur habinë se si Sfeçla mendon se presidenti i vendit duhet dhënë llogari atij. Madje ka thënë se Sfeçla ka më shumë vepra penale sesa hyrje e dalje nga Kosova.

Ky është postimi i tij:

Ushtrues Detyre është dhe mendon që presidenti i jep llogari kah shkon e çfarë bën, po me qenë përnjëmend ministër ky?! Në prerjen dhe heqjen e rrethojave e ka gjetur veten. Në këto tjerat po ma çon mallin e një kadeti të papërvojë policor.

Por, kur Sveçla dhe soji i tyre po flasin tash për respektimin e ligjeve, të cilët si cuba politikë me precedentë penalë gati 20 vjet janë fshehur skutave dhe nuk i janë përgjigjur asnjëherë drejtësisë, epilogu këtu nuk ka fare moral politik.

Megjithatë, fatkeqësisht janë duke e tejkaluar çdo kufi të demokracisë dhe të ekzaltuar nga pushteti po mendojnë që autoritetit të qulltë të një Ushtruesi Detyre duhet t’i nënshtrohen edhe presidenti i shtetit dhe të zgjedhurit e popullit.
Pra, nuk po ju mjafton vetëm shkelja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe shkelja e të drejtave të njeriut, por tani po kërkojnë edhe më shumë!

Sikur të kishim mundësi t’i shihnim databazat e prokurorisë, jam i bindur që Sveçla ka më shumë raste penale sesa hyrje-dalje nga Republika e Kosovës!