Osmani: Kuvendi do ta ketë nën mbikqyrje të rreptë ekzekutivin

Kryeparlamentarja e parë grua në Kosovë, Vjosa Osmani, tha se gjatë këtij mandati do të kthejnë dinjitetin e Kuvendit të Kosovës.

Pas votimit të saj në këtë post me 65 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Osmani  tha se vota e qytetarëve më 6 tetor do të sjellë ndryshimin e madh në Kosovë, madje u zotua se gjatë mandatit të saj do të mbikëqyrin rreptë ekzekutivin.

Osmani tha se shpreson që secila grua e zgjedhur nga vota e qytetarit do të merret me problemet e vajzave dhe grave në Kosovë.

Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani u propozua për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi kryetari i deritanishëm Glauk Konjufca dha dorëheqje nga ky post, pasi është zgjedhur ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë Kurti të votuar po sot në Kuvend.