Tahiri – ekzekutivit: Ku janë ligjet e premtuara? – Leni fjalët po kthejuni punës

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar anëtarët e kabinetit qeveritarë për dështim të sjelljes së ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ministrat e Qeverisë Kurti të cilët nga 27 ligje të premtuara vetëm 9 kanë arritur që t’i sjellin në Kuvendin e Kosovës.

“Letërnjoftimi dhe imazhi kryesor i një qeverie se a është e suksesshme apo e dështume është zbatimi i dokumenteve të cilat i bënë vetë dhe një ndër këta dokumente është agjenda legjislative e cila ishteplotësisht e dështuar në vitin 2021 e cila hajde mund të falet për shkak se qeveria u mor në mars ose në prill, filloi punën e vet, mirëpo me ardh sot në prill dhe me i prezantu 27 ligje në periudhën janar-mars dhe me i pru vetëm 9 ligje dhe 18 prej tyre mos me qenë askund, është dështimi, është turpi, është mos-fikasiteti i një qeverie”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, shumë ligje të premtuara nga vetë ministrat nuk janë sjell akoma në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht faktit se Qeveria Kurti, Kosovën siç theksoi ai, e ka marrë me çelësa në dorë.

“Lëvizja Vetëvendosje, Kosovën e ka marrë me çelësa n’dorë. E ka marrë me 2.1 miliardë euro, me 117 njohje, me ushtri e me polici, e ka marrë me vendimin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që shpallja e pavarësisë është e drejtë. E ka marrë me konsolidim të Policisë, dhe populli lyp prej tyre me i kry qeto punë që thotë që unë do t’i kryj. Asnjë ligj që e prek jetën e qytetarit të nderuar ministra nuk e keni bo, ligjin për Zonat Ekonomike. E ke pas ministre me 1 mars, nuk t’kom shti me zor, asnjo prej neve s’tka thanë qitja 1 marsin me e kry. Edhe Zonat Ekonomike janë instrumenti kryesor i punësimit në komuna. Edhe tjetri ministër e ka pas Ligjin për Partneritet Publiko-Privat me 15 mars. Ku është ai Ligj?”, theksoi Tahiri.

Ai i nervozuar kërkoi në ekzekutivi që të punojnë e t’i lënë llafet, sepse për 20 vjet sa kanë bërë qeveritë e kaluara, kjo e tanishmja nuk mund të bëjë asgjë, pavarësisht se të gjitha gjërat i ka të gatshme, raporton tutje Demokracia.com.

“E keni marrë Kosovën me çelësa n’dorë, ktheni 20 vjet. Boni ju çka kemi bo na për 20 vjet, boni ju dy autostrada që i keni gati, kryni autostradat që jonë nis, kryeni rrugët. Leni fjalët, kthenju punës, bjerni këto ligje që e përmirësojnë jetën e qytetarëve”, deklaroi Tahiri.