Tahiri kërkon të tërhiqet Projektligji për Zyrtarët Publikë: E cenon administratën

Shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur kundër Projektligjit për Zyrtarët Publikë, i cili sot po shqyrtohet për lexim të dytë në Kuvend.

Ai ka thënë se ky ligj e cenon administratën publike.

Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që ta tërheq këtë projektligj.

“Ne konsiderojmë se ky projektligj, që shihet se do të votohet, e cenon në thelb punën e administratës tonë publike”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se ky projektligj ka marrë vërejtje të shumta nga Zyra e BE-së në Prishtinë, shoqëria civile dhe gjithë aktorët tjerë.

Sipas tij, ky projektligj do ta devijon punën e mirë të shërbimi civile.

“Do të hapni mijëra konkurse, do të emëroni njerëz që do të ua bëjnë argatin juve dhe do ta dëmtoni cilësinë në administratës e cila do të ndikoj në qeverisjen tuaj dhe në ato të ardhshme” , ka thënë Tahiri.