Tahiri konfirmon shkarkimin e Rashicës

0
446

Sot gjatë ditës është raportuar për një prishje të mundshme të koalicionit LDK-Vetëvendosje në komunën e Vushtrrisë.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar të parin e kësaj komune, Xhafer Tahiri.

Tahiri ka theksuar se një gjë e tillë nuk qëndron dhe se koalicioni dy partiak LDK-VV është duke vazhduar në mënyrë të rregullt.

I njëjti theksoi se nuk është informuar për ndonjë mosmarrëveshje në komunë që mund të ndikojë në prishje të koalicionit.

“Në fakt zyrtarisht nuk ka diçka të tillë, pra nuk jemi të njoftuar për ndonjë prishej të tillë, pasi ne jemi në koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje edhe besoj që jemi bërë bashkë në interes të zhvillimit të komunës së Vushtrrisë, pra në të mirë të kësaj komune. Nuk kam informacion për këtë që është raportuar”, ka thënë Tahiri.

Tutje Tahiri shtoi se partneriteti i koalicionit ka të bëjë me zhvillimin e komunës, por që padyshim se ka raste kur edhe ka ndonjë mospajtim.

“Ne jemi koalicion, partner dhe sigurisht kemi çështjet tona por që nuk jemi në dijeni për ndokënd që ka prishur koalicionin në komunën tonë.Ne jemi dakorduar që çdo gjashtë muaj të bëhet vlerësimi i secilit, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i duhur për gjithkënd që është pjesë e udhëheqjes së komunës”, tha Tahiri.

Ndryshe i njëjti tha se gjatë ditës së djeshme ka liruar nga detyra, drejtorin e Shërbimeve Publike, Sedat Rashica.

Rashica ishte drejtor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Tahirit, largimi nga detyra ka ardhur si pasojë e mosangazhimit të duhur, apo punës të pakënaqshme.

“Pra ne presim që koalicioni të vazhdojë”, përfundoi Tahiri.