Tahiri: PDK-ja, do të kërkojë komision hetimor për të hetuar lidhjen midis VV-së dhe “Syrit të popullit”

Abelard Tahiri, ministër në detyrë i Drejtësisë, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë Facebook, ka thënë se tani kur është aktgjykimi dënues për disa persona të akuzuar për vepra terroriste kundër rendit kushtetues, përmes organizimit në tentativë të atentateve ndaj krerëve të shtetit, si edhe për faktin se në mesin e këtij grupi ka anëtarë e familjarë të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje, heshtja e kësaj të fundit dhe mosdistancimi nga ky grup është i papranueshëm.

“Prandaj PDK-ja e ndjen për obligim që ndaj kësaj heshtje të Vetëvendosjes, të kërkojë llogari. Në seancat e radhës së Kuvendit të Republikës, do të kërkojmë themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar për të hetuar lidhjen shkakore në mes të Vetëvendosjes dhe organizatës “Syri i popullit”.

Shoqëria jonë, në kuadër të rendit demokratik e liberal është edukuar në atë mënyrë që të tolerojë diversitetin e bindjeve politike dhe ballafaqimin e tyre në kuadër të debatit politik. Por nuk mund të tolerojë cenimin e këtyre parimeve nga organizata parapolitike, të nxitura e të motivuara politikisht nga subjektet që abuzojnë me demokracinë për t’iu kundërvënë të njëjtës”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se mbi këtë bazë, është emergjente që relacioni i Vetëvendosjes, veçmas Albin Kurtit e Glauk Konjufces me këtë grup që planifikonte vepra terrorizmi të sqarohet deri në fund dhe ne si PDK do të sigurohemi që një gjë e tillë të ndodhë, pikërisht aty ku ndërtohet dhe ballafaqohet politika, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Pa një epilog gjithëpërfshirës mbi këtë çështje, figura e Glauk Konjufcës si kryetar i aureolës së demokracisë sonë, Kuvendit të Republikës, është tërësisht e papranueshme”.