Tahiri: Prokurori i Shtetit të fillojë hetimet ndaj ZRrE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë duhet të fillohet hetim nga Prokurori i Shtetit.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ndaj kosovarëve është duke u bërë padrejtësi me kërkesën për rritjen e çmimit të rrymës. Sipas tij, ZRrE-ja nuk është duke kërkuar rritjen e çmimit për serbët në veri.

“Tentimi i qeverisë, përmes kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, për të arsyetuar diskriminimin etnik që ZRrE-ja është duke ua bërë shqiptarëve të Kosovës me rastin ngritjes së çmimit të rrymës, duke përjashtuar kështu komunat veriore nga kjo ngritje e çmimeve, është një veprim i ulët, diskriminues dhe me elemente raciste”.

“Si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm nga i gjithë spektri politik, shoqëria civile dhe qytetarët e vendit. Gjithashtu, ftoj prokurorin e shtetit që pa humbur kohë të fillojnë hetimet ndaj ZRrE-së nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Tahiri./Fokusi.info/