Avokati i Thaçit i shqetësuar se Rusia po tenton të ndikojë në Gjykatën Speciale

Avokati Gregory Keohe qysh me kthimin e Gjykatës Speciale nga pushimet, bëri dy parashtrime të cilat morën vëmendje të madhe. E para ishte rreth intervistës së Nacionales me Ndue Gjinaj lidhur me dëshmitarët katolikë kundër Thaçit, dhe e dyta lidhur me akuzat nga Rusia se UÇK-ja është e përfshirë në trafikim organesh në Ukrainë.

Kur foli për këtë të fundit, avokati i Thaçit në një moment hodhi dilema se Rusia po tenton të ndikojë në trupin gjykues dhe procesin që po zhvillohet në Hagë.

“Kjo duhet të bëhet e qartë nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, por pavarësisht qëllimit, ata po përpiqen që të thonë që zotërinjtë që janë të akuzuar këtu janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve gjë e cila nuk është e vërtetë”, deklaroi avokati Keohe, raporton Nacionale.

“Janë disa artikuj të Maria Zaharova që janë ruajtur në median evropiane, duke thënë se një prijës është përfshirë në trafikim organesh në këtë proces gjyqësor. Kjo është false, këto media janë paragjykues ndaj të akuzuarve. Nëse hetimi që ka të bëj me trafikim organesh, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë, se nuk ka asgjë ndaj të akuzuarve që i lidhin me trafikimin e organeve”, deklaroi ai më tutje.

Keohe deklaroi se këtë parashtrim, do të realizojë edhe në formë të shkruar.

Çfarë deklaroi Rusia?

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka bërë një pretendim absurd. Sipas saj, ka mundësi që UÇK-ja është e pranishme në Ukrainë si organizatë mercenare dhe është duke kontrolluar trafikim organesh.

“Njëri nga udhëheqësit e kësaj organizate terroriste është duke u gjykuar në Hagë”- shkroi Zakharova në një opinion në “Rasiyskaya Gazeta”, përcjell B92-shi.

Sipas saj, UÇK-ja është ende duke operuar, edhe pse me një emër tjetër, dhe ekziston mundësia që ajo është e pranishme në Ukrainë si organizatë mercenare.

“Ka qenë e ditur për një kohë të gjatë se Ukraina është bërë njëra nga lideret globale të “transplantimit të zi”- shkroi zëdhënësja ruse.

Ajo theksoi se nga fundi i viteve nëntëdhjetë, Ukraina është përfshirë nga skandalet e lidhura me nxjerrjen ilegale të organeve nga trupat e të vdekurve, që e kanë përkeqësuar situatën socio-ekonomike në vend.

“Që nga fillimi i viteve 2000, problemi ka qenë në rritje. Puçi i armatosur në Kiev në shkurt të vitit 2014 dhe konflikti pasues në Donbas ofruan një nxitje shtesë për këtë proces”- shtoi ajo.

Sipas Zakharovës, më 2014, OSBE-ja kishte njoftuar se trupa me organe të hequra ishin gjetur në varre masive në zonat e luftimeve, sipas të gjitha gjasave viktima të transplantimit ilegal të organeve.

Ajo shtoi se pas fillimit të “Operacionit Special Ushtarak”, siç e quan Rusia luftën në Ukrainë, tregu i zi i organeve është intensifikuar dhe se i tërë procesi u bë më i lehtë, pasi pushteti në Ukrainë miratoi një ligj për aktivitetet e transplantimit.

Zakharova theksoi se bëhet fjalë për miratimin e Ligjit për Rregullimin e Çështjeve të Transplantimit, i miratuar në dhjetor të vitit 2021, sipas të cilit nuk kërkohet më noterizimi i pëlqimit me shkrim nga një dhurues i gjallë ose nga të afërmit e tij për transplantimin e organeve.

“Nënshkrimet nuk kanë nevojë më që të noterizohen. Në thelb, ata lejuan që organet të merren nga fëmijët. Procedura e marrjes së organeve nga të vdekurit, të cilët nuk e kishin thënë pëlqimin për të qenë dhurues pas vdekjes, është thjeshtësuar në masë të konsiderueshme”- pretendoi Zakharova.

“Tani, leja për të marrë organe nga një person i vdekur mund të sigurohet nga një individ që është zotuar për ta varrosur trupin. Për shembull, mund të jetë kryemjeku i spitalit ose udhëheqësi i një njësie ushtarake dhe e drejta për të kryer transplantime u është dhënë jo vetëm shtetit, por edhe klinikave private”- e vazhdoi pretendimin e saj të rëndë zyrtarja ruse.