Tahiri: Qeveria e Kosovës të reagojë lidhur me rritjen e çmimeve

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerësoi se reagimet e qeverisë lidhur me rritjen e çmimeve janë të dobëta.

“Ne kemi adresuar edhe më parë problemin e rritjes së çmimeve, reagimi i qeverisë së Kosovës për këtë problem është shumë i dobët, Kosova është vendi i vetëm që nuk ka reagim për krizën. Jemi vendi i fundit që kemi marrë masa dhe veprime për çmimet”, tha Tahiri.

Sipas tij qeveria ose duhet të ndërhyjë në politikat fiskale ose në paga. “Do të ishte mirë të ndërhyjmë tek ligji i pagave dhe të rrisim pagën minimale, nëse nuk do të marrim masa dhe do të godasim me akciza dhe tatime biznesin, atëherë nuk do të ndihmojmë ekonominë e vendit”, deklaroi ai.

Tahiri foli edhe për luftën në Ukrainë. “Presidenti Putin e bëri atë që bëri Millosheviqi. Putini dhe Rusia e kanë nënvlerësuar reagimin perëndimor, sidomos atë të Gjermanisë për unifikim të gjithë botës demokratike”, tha ai për RTK.