Tahiri: Qeveria Kurti në vend që të jap përgjegjësi për varfërimin e qytetarëve, po sulmon sistemin e drejtësisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj dikastereve tjera shtetëror.

Tahiri përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se këto sulme kanë për qëllim ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e qytetarëve.

“Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe të dobësimit të Kosovës nga kjo qe qeveri”, ka thënë Tahiri.

Reagimi i plotë:

Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe të dobësimit të Kosovës nga kjo qe qeveri.

Krejt këto sulme kanë qëllim që në publik mos të flitet për ngritjen e çmimeve, çmimin e lartë të rrymës, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, bllokimin e investimeve e kapitale, ikjen e rinisë e shumë tema tjera.

Pyetjet që duhet t’i bëhen Qeverisë janë: kur do ta ulni çmimin e energjisë? kur do t’i rrisni pagat e pensionet? Kur do të përfundojnë rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë dhe pse e ndalët Autostradën e Dukagjinit?