Tahiri: Qeveria me instruksione ka kërkuar që asnjë amandament mos të votohet sot në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se seanca e sotme e Kuvendit për buxhetin e vitit 2023 ishte torturuese dhe nuk i përfilli aspak deputetët.

Tahiri ka thënë se Qeveria me istruksione ka kërkuar që asnjë amandament mos të votohet.

“Senaca e sotme për buxhetin, torturoi dhe s’i përfilli deputët. I gjthë procesi i diskutimit të amandamenteve për vlerësimin tim nuk ka asnjë kuptim, për shkak se asnjë amandament nuk u trajtua, së paku me respekt të votimit të lirë. Qeveria me istruksione ka kërkuar që asnjë amandament mos të votohet”, ka thënë Tahiri

Tahiri ka thënë se deputeti është përfaqësues me bazë elektorale dhe së paku është dashur të ketë laramani.

“Diskutimi im është për rolin e deputetit, i cili është përfaqësues i një baze elektorale, është përfaqësues i qytetarëve, dhe së paku është dashur të ketë një laramani. Ky ushtrim ka qenë një torturë dhe unë kam dëshirë të shoh edhe votimin e kryetarit të Kuvendit dhe të kolegëve nga VV-ja për një propozim amandamenti, që nuk e ka një shumë të madhe. Amandamenti ka të bëjë me një kërkesë të asfaltimit të një rruge të fshtit Buricë në Komunën e Podujevës, me gjatësi prej 1.2 km, dhe projekti në tërësi përfshin 150 mijë euro.

Arsyeja për këtë kërkesë është se FSK-ja e ka zgjeruar atë rrugë, dhe për 1.2 km rrugë, qytetarët nuk kanë mundësi të shkojnë në një pikë të rëndësishme historike, që ka qenë baza e parë e UÇK-së në atë pjesë. Dhe, si bazë e UÇK-së i ka shërbyer tërë Kosovës.

Aty nuk ka shumë banorë, nuk është një kërkesë elektorale, por është një çështje të cilën dua ta adresoj dhe të kërkoj mirëkuptim prej deputetëve dhe ministrit të Infrastrukturës, për shkak se po bëhet fjalë për një rrugë prej 1.2 km gjatësi, me 150 mijë euro, për të cilën FSK-ja e ka dhënë angazhimin e vet për këtë rrugë”, është shprehur Tahiri.