Talenti Leonit Tahiri synon të bëhet Marcelo i Kosovës (video)

Numri i talenteve nga Kosova që po depërtojnë në klubet e mëdha evropiane, sa vjen e shtohet.

Njëri ndër ta është edhe i riu me prejardhje nga Ferizaj, Leonit Tahiri.

Tahiri bie në sy jo vetëm për lojën e mirë, por edhe për pamjen, pasi u ngjan shumë yjeve të futbollit si, Marcelo, Witsel e David Luiz.

13-vjeçari shkëlqeu në sezonin e fundit me Dortmundin U13, duke arritur që të triumfojë edhe në turneun e mbajtur në Venlo të Holandës.

I lindur dhe rritur në Gjermani, Tahiri, i cili luan si mesfushor dhe mbrojtës në të dy krahët, thotë se dëshira e tij është ta veshë fanellën e Kosovës.

Në familjen Tahiri, me futboll nuk merret vetëm Leoniti, pasi edhe vëllai i tij i madh, Ylli, është futbollist i talentuar, raporton KTV.

Ai ka qenë pjesë e Schalkes, por për shkak të lëndimit është dashur të ndërrojë ambient.

16-vjeçari është pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës, madje ai ka shënuar edhe një gol.

Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, Kosova është bërë joshëse për talentet e shumtë kosovarë që jetojnë dhe veprojnë në Evropë.