Të infektuarit në Prishtinë s’kishin simptoma – një kompleks banesor e dy shtëpi shkojnë në mbikëqyrje

Prishtina nga sonte do të jetë në karantinë, pas konfirmimit të 20 rasteve me koronavirus veç sot në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me anë të një postimi në Facebook ka bërë të ditur se duhet të shtohen masat kufizuese në kryeqytet pas konfirmimit të rasteve të reja, shkruan lajmi.net.

Madje, siç ka bërë të ditur Ahmeti, të gjithë personat që rezultuan pozitiv me COVID-10, kanë qenë pa simptoma.

Ahmeti ka bërë të ditur se do të ketë masa të shtuara policore në lagjen Mati 1.

“Të gjithë personat ishin pa simptome. Pas konsultimeve me Ministrin Vitia, Prishtina prej sonte hyn në karantinë. Hyrje/daljet do të jenë të kontrolluara, si dhe do të kemi masa të shtuara policiore në lagjen Mati 1. Policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave dhe po ashtu do të ketë kontrolla më të mëdha. Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi shkojnë në mbikqyrje 24 orëshe nga policia”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti po ashtu ka thënë se Prishtina dhe Kosova është duke hyrë në një fazë shumë të ndjeshme, andaj sipas tij, tani është koha më shumë se kurrë që të dëgjohet këshilla për qëndrim në shtëpi.