Të shtënat tek ‘Bregu i Diellit’- Zbulohen se kush janë dy personat që u plagosën dhe të dyshuarit e arrestuar për këtë plagosje

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sonte te ‘Xhambazët’ në lagjen “Bregu i diellit”, në Prishtinë, ku dy persona kanë mbetur të lënduar, teksa tre të tjerë janë arrestuar. Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia, ndërsa janë zbuluar detaje të reja.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se personat e arrestuar janë Gentian Makolli, i moshës madhore dhe G. Makolli, i mitur.

Ndërsa burime brenda QKUK kanë bërë me dije se dy të plagosurit që u pranuan në këtë qendër janë Mehmet Metolli dhe Ataola Tahiri.

Lajmin lidhur me incidentin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë.Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore ndërkohë që lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.