Televizioni publik slloven fillon emision enkas për Martin Berishajn, pagesa nga GEN’i kryetemë

Televizioni publik slloven, këtë të enjte nga ora 20:00 ka filluar një emision lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Tarca (Target) emisioni më i shikuar, njëherit shtetëror i Sllovenisë ka realizuar një edicion rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-i, ku si fokus kryesor është ambasadori Martin Berishaj.

“Çështja më e nxehtë me të cilën po merret policia për momentin janë pazaret ballkanike në çështjen Gen-I, për të cilën po zhvillohet procedimi parapenal. Ka shumë pyetje të hapura, pa përgjigje në këtë çështje.” – thuhej në faqen zyrtare të Radio Televizonit Slloven, transmetonte Albanian Post.

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven Planet TV në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.