Tërmkolli, Vjosa Osmanit: Po e “shqyen” gurmazin duke u thirrur në votën e qytetarit

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka akuzuar ashpër ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, për veprimet e kësaj të fundit pas marrjes së postit.

Me anë të një postimi në Facebook, Tërmkolli ka thënë se Osmani sipas saj po bën sfilata politike me një post provizor të fituar pa asnjë votë, as qytetare as parlamentare.

“Kryetarja e Kuvendit dhe tani edhe u.d e Presidentit me hipokrizinë më të madhe bën sfilata politike me një post provizor të fituar pa asnjë votë, as qytetare as parlamentare, ajo që me muaj po e “shqyen” gurmazin duke u thirrë në votën e qytetarit”, ka shkruar ajo.

Sipas Tërmkollit, në këto dy ditë kur u konfirmuan aktakuzat e Speciales, është goditur rëndë shteti i Kosovës.

Postimi i plotë:

Goditja e shtetit dhe betejat politike!

Në këto dy ditë u godit rëndë shteti i Kosovës, jo veç individët. Reagimi ynë si shtet e qeveri është tërësisht i papranueshëm. Në veçanti roli i Ministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë! Ministri që nuk din se çfarë po ndodhë me Presidentin e vendit dhe të tjerët, nuk din se a ka apo nuk ka akt-akuzë, nuk ka ide për mënyrën se si merren njerëzit nga EULEX-i, bastisjet etj. është thjesht veç një spektator që nuk e njeh punën e tij dhe nuk meriton të jetë aty ku është. Ministri merret me retorikë thellësisht partiake në kohën kur do të duhej të ishte ministër i shtetit dhe t’i dilte zot punëve të tij pa rrezikun e rrëshqitjes në kompetencat e gjykatës. Frika nga ndërhyrja në drejtësi është veç konfirmim i paaftësisë për t’u përballur me këto situata që nuk ishin as të papritura as befasuese për askënd. Edhe më rëndë po të jenë të qëllimshme si pjesë e logjikës revanshiste politike, reale apo të supozuar. Kjo frikë nuk e justifikon dhe as nuk e arsyeton pranimin e “drejtësisë së shkelur” ndaj qytetarëve të vendit tonë, gjithnjë pa prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e kujtdo qoftë.

Rrëshqitja e Dhomave të Specializuar nga ideja fillestare ligjore e drejtësisë, sipas shumë specialistëve të drejtësisë, në një gjykatë me elemente politike e të politizuara është shqetësuese për Kosovën. Roli dhe ndikimi i Serbisë në këtë gjykatë dhe jo vetëm është evident. Në gjykatën të cilën e themeluam ne, politika dhe Kuvendi i Kosovës, mund të ndikojë e të ndërhyjë Serbia derisa ne nuk mund as të interesohemi për procesin e procedurat sipas detyrës që na jep Ligji e Kushtetuta!

Qeveria dhe të tjerët heshtën e po heshtin në njërën nga ditët më të rënda për funksionalitetin e institucioneve të vendit tonë.

Kryetarja e Kuvendit dhe tani edhe u.d e Presidentit me hipokrizinë më të madhe bën sfilata politike me një post provizor të fituar pa asnjë votë, as qytetare as parlamentare, ajo që me muaj po e “shqyen” gurmazin duke u thirrë në votën e qytetarit.

Shteti ynë dhe qytetari nuk ka kohë më për të humbur as me frikacakë, as me profiterë politikë dhe as me të padijshmëm!

Tani, të gjitha institucionet shtetërore e politike duhet të punojnë me tërë kapacitetin e tyre në menaxhimin e situatës politike dhe të sigurisë të vendit tonë, në tejkalimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha të natyrave të ndryshme me të cilat po përballemi.

Një qeveri e unitetit dhe një president/e konsensual do të ishte një mundësi e fillimit të përballjes me sfidat që kemi.