Testet e bëra në Kosovë për Covid-19 nuk pranohen në shtetet e Evropës, do ritestoheni

Të gjithë mërgimtarët dhe shtetasit e Kosovës që kryen testin për COVID-19 në Kosovë, ai do të vlen vetëm për brenda territorit dhe nuk pranohet në shtetet e Evropës.

Mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që do të udhëtojnë për në vendet e tjera të Evropës do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit për COVID-19, pasi ai që bëhet në Kosovë nuk pranohet atje.

Kështu po bën të ditur Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

Ramadani po thotë se testi për COVID-19 nuk pranohet nga shtetet e Evropës për shkak se Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ne nuk jemi anëtarë të OBSH por ne i kemi licencuar disa laboratorë. Ju e dini se në laboratorin e Mikrobiologjisë se diagnostika e Covid-19 bëhet me real time PCR, që është metoda më e avancuar dhe bëhet me të njëjtat standarde”, tha Ramadani.

“Licencimi, akreditimi apo edhe aprovimi.janë dy procedura të cilat bëhen dhe janë formalitet se a kryhen të gjitha në Institutin Kombëtar. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka vizituar Institutin Kombëtar dhe i ka parë të gjitha kapacitetet, e kanë vizituar edhe Klinikën Infektive dhe i kanë parë kapacitetet”, tha Ramadani.

“Ata i kanë aprovuar si standard normal ndërkombëtar.Problemi është Instituti Kombëtar dhe Kosova, janë të përgatitur për të ofruar ndihmën personave në nevojë dhe jo për të ofruar personave të shëndoshë që kanë për të shkuar jashtë vendit”, tha Ramadani për Klan Kosova.