Tha se është i hapur për koalicione, VV ia këput shpresën Haradinajt: Ndaj teje kemi vija të kuqe

Deklaratës së kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se është i gatshëm për oferta koalicionesh, i është përgjigjur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Në një deklarim për GazetaBlic, Abazi është shprehur se Vetëvendosje ka vijë të kuqe ndaj Haradinajt dhe të gjitha partive të PAN-it.

Ai e ka quajtur si presion ndaj VV-së, deklaratën e Haradinajt, teksa ka thënë që të reflektojë mbi keqeverisjen që sipas tij, PDK-AAK-NISMA ia kanë bërë vendit.

“Ne kemi vijë të kuqe ndaj të gjitha partive të PAN-it. Deklarata e Haradinajt, është presion, në vazhdën e presioneve negative që kanë ardhur nga ana e atyre që kanë keqeverisur deri më tani me Kosovën. Kështu që, ne qëndrojmë mbi parimet tona që nuk dëshirojmë koalicion me partitë që ishin në pushtet në qeverinë që shkoi“, ka thënë Abazi.

“Haradinaj para se të bëjë presion, le ta reflektojë për këtë keqeverisje që ia kanë bërë Kosovës, e sidomos në këtë qeverisjen e fundit. Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ndryshimi nuk është ai. Ata kanë dalur humbës në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Abazi për Gazeta Blic.

Përkundër që kanë kaluar mbi 100 ditë nga mbjajtja e zgjedhjeve, ende nuk është formuar qeveria e re.

Kjo pasi që ende nuk ka dakordim për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje, që doli e para më 6 tetor dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haradinaj i gatshëm për oferta koalicionesh (video)