Thaçi bën thirrje për kujdes: Është tejet e rëndësishme të respektohen masat dhe rekomandimet ndaj koronavirusit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçiu, iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe respektim të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Duke e parë numrin në rritje të viktimave dhe rasteve të reja me koronavirus, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu ka bërë thirrje banorëve të vendit që të respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se “sot, patriotizëm është që t’i ruajmë heronjtë tanë, gjithë personelin mjekësor që është në vijën e parë të frontit, duke e luftuar këtë pandemi”.

Sipas presidentit, sa më shumë kujdes që tregojmë sot, aq më shpejtë do të mund t’i rikthehemi normalitetit.

Postimi i plotë i presidentit Thaçi, pa ndërhyrje:

Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe mbajtja e distancës fizike nga njerëzit e dashur, nga familja dhe shoqëria, nga vendet e punës, me masat e ndërmarra parandaluese, nuk ka qenë i lehtë për asnjë prej nesh. Kjo është kohë e rëndë për të gjithë!

Por, sot është tejet e rëndësishme që të tregohemi të durueshëm dhe të përgjegjshëm, duke i respektuar të gjitha masat dhe rekomandimet që vijnë nga IKSHPK, OBSH dhe institucionet përgjegjëse.

Sot, qytetari e përgjegjshme është ajo që njëri-tjetrit t’ia shprehim edhe dashurinë e respektin nga largësia.

Sot, patriotizëm është që t’i ruajmë heronjtë tanë, gjithë personelin mjekësor që është në vijën e parë të frontit, duke e luftuar këtë pandemi.

Sa më të kujdesshëm që tregohemi tani, aq më shpejtë do të mund t’i rikthehemi normalitetit.

Kujdesuni për veten dhe të tjerët!