Thaçi: Bota shqiptare me respekt dhe nderim të lartë përkulet në Prekazin legjendar

Në manifestimin qendror për 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalë rasti para ushtarëve të FSK-së, në kazermën “Adem Jashari”.

Thaçi ka thënë se emri i kësaj kazerme, është emër i lirisë së Kosovës.

“Heroizmi dhe sakrifica e Jasharëve zgjoi ndërgjegjen shqiptare.Heroizmi i Jasharëve mobilizoi botën shqiptare në Kosovë, në Maqedoni në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në diasporë. Heroizmi i Jasharëve vuri në lëvizje diplomacinë botërore. Prandaj bota shqiptare me respekt dhe nderim të lartë përkulet në Prekazin legjendar”, është shprehur presidenti, përcjell lajmi.net.

Fjalimi i plotë i Thaçit:

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,

I nderuar komandant Rama,

Zonja dhe zotërinj,

Sot gjendemi para ushtrisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari” për ta nderuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emri i kazermës suaj është emër i lirisë së Kosovës.

Sot, institucionet më të larta shtetërore nderojnë heroizmin dhe sakrificën më të madhe në historinë tonë kombëtare.

Nderojmë njëzet anëtarët e familjes së Shaban Jasharit: burrat, gratë, vajzat, djemtë, fëmijët, nipërit, mbesat.

Nderojmë Komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën dhe gjithë të rënët më 5 dhe 6 mars 1998 në Prekazin heroik.

Heroizmi dhe sakrifica e Jasharëve zgjoi ndërgjegjen shqiptare.

Heroizmi i Jasharëve mobilizoi botën shqiptare në Kosovë, në Maqedoni në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në diasporë.

Heroizmi i Jasharëve vuri në lëvizje diplomacinë botërore.

Prandaj bota shqiptare me respekt dhe nderim të lartë përkulet në Prekazin legjendar.

Sa herë që vijnë ditët e Epopesë së UÇK-së kujtojmë çmimin e lirisë së Kosovës.

Kujtojmë me respektin më të lartë sakrificën e mijëra dëshmorëve, kujtojmë martirët dhe gjithë qytetarëve tanë të rënë për liri.

Kujtojmë invalidët, veteranët dhe gjithë ushtarët e lirisë që luftuan në tokën e tyre për lirinë e popullit tonë.

Të nderuar ushtarë të FSK-së

Ju jeni trashëgimtarët e projektit më të suksesshëm politik dhe ushtarak të popullit tonë, – të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me luftën heroike të UÇK-së, me mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe të botës demokratike, – Kosova u çlirua dhe u bë vend i lirë, shtet i pavarur dhe demokratik.

Kosova me sukses kaloi fazën e tranzicionit.

U konsolidua dhe po konsolidohet gjithnjë dhe më shumë.

Kosova është storie e suksesshme

Vend i paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Kosova e ka të qartë të vetmen rrugë dhe perspektivë Atë euroatlantike.

Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë ky është objektivi ynë.

Kosova do t’u jetë përjetë mirënjohëse shteteve të demokracisë botërore që e ndihmuan në kohët më të vështira.

Mirënjohëse për kontributin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë

Qytetarët dhe shteti ynë krenohem me ju.

Krenohemi me rezultatet tuaja dhe me gatishmërinë tuaj për të shërbyer kudo që kërkohet.

Disiplina ushtarake, etika e lartë dhe profesionalizmi juaj vërehet kudo në Kosovë.

Jeni institucioni që meritoni respektin e gjerë qytetar të Kosovës.

Pra, ju po rriteni në një forcë të besueshme në sytë e botës.

Ashtu siç i ka hije një vendi paqësor, një shoqërie të ngritur mbi parimin e barazisë, respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve.

Kosova, që ka dalë nga një luftë e hidhur, e di më së miri vlerën e lirisë, tolerancës dhe paqes.

Prandaj Kosova do të jetë prodhues i paqes, faktor stabiliteti në rajon, shembull i bashkëpunimit ndër-fqinjësor me NATO.

Lavdi gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!