Thaçi: Është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka thënë se pas marrëveshjes së Uashingtonit, është arritur një mundësi për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Thaci ka shkruar në Facebook për zhvillimet e fundit, si dhe për takimin me të dërguarin Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

“Pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, ka thënë ai.

“Jam mirënjohës për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në këtë proces. Roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke. Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për arritjen e marrëveshjes finale”, ka shtuar Thaci.

“Në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes”, ka përfunduar ai.