Thaçi falënderon Trumpin: Me ndihmën tuaj do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka falënderuar presidentin e SHBA-së Donald Trump, për vëmendjen që ai ia ka kthyer shtetit të Kosovës.

Në një postim në Twitter, Thaçi e përmend edhe të dërguarin special të presidentit amerikan Trump, Richard Grenell.

“Faleminderit President Donald Trump për vëmendjen që ia keni kushtuar Kosovës dhe luftës sonë të përbashkët për të çimentuar paqen në Ballkan. Nën udhëheqjen tuaj dhe punës së shkëlqyer të Richard Grenellit, ne do të arrijmë marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë ashtu siç përshkruhet qartë në letrën tuaj që më dërguat mua vitin e kaluar”, shkruan Thaçi, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se mbrëmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë televizionit T7, tha se “Atë që e ka bërë Grenelli për pak muaj, të tjerët nuk kanë mundur ta bëjnë për 20 vjet”.

Grenelli, për pak ditë në Kosovë arriti marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, dhe gjithashtu marrëveshje për transportin hekurudhor.

Ndërkaq, letrën që Thaçi sot ia përmendi Trumpit, ku ky i fundit ia kishte përmendur edhe dialogun, Trumpi i shkroi Thaçit se “është momenti unik, për të përfituar në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”.