Thaçi falënderon Trumpin, thotë se përfundimi i dialogut me Serbinë prodhon njohje reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për mbështetjen në dialogun Kosovë – Serbi.

Gjithashtu presidenti i vendit ka thënë se angazhimi i ambasadorit Richard Grenell dhe Këshilltari të presidentit për Siguri Nacionale, Robert O’brien, do të sjellë njohje reciproke të shteteve në përfundim të procesit.

“Faleminderit edhe njëherë presidentit Donald Trump për mbështetjen lidhur me dialogun Kosovë – Serbi. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit Richard Grenell dhe Këshilltarit të presidentit për Siguri Nacionale, Robert O’Brien, ka sjellë një dinamikë të re në proces dhe presim përfundimin e këtij procesi me njohje reciproke të shteteve”, ka shkruar Thaci në Twitter.

Presidenti Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar foto zyrtare nga ky takim mes liderëve.

Thaçi dhe Vuqiç ishin pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare në SHBA, Robert O’Brien dhe i dërguari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Dje, Këshilltari për Siguri Kombëtare, O’Brien dhe Richard Grenell kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Marrëdhëniet Serbi-Kosovë kanë një rëndësi të madhe për administratën e Trump”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë për këtë takim.