Mungon ilaçi i listës esenciale për të sëmurët me kancer, një dozë kushton 1 mijë e 450 euro

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se po presin që nesër të furnizohen me “Herceptin”, ilaçi që ka munguar për më shumë se tre jave e që një dozë kushton rreth 1500 euro.

Ky bari është në listën esenciale për trajtimin e të sëmurëve me kancer por që po mungon në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Onkologjisë thotë se beson që deri të martën do të furnizohen me këtë bari.

‘‘Po e presim nesër më ardhë. Besoj nesër vjen’’, ka thënë Kurtishi për “Betimi për Drejtësi”.

Mungesa e kësaj terapie për disa javë më radhë i ka shqetësuar familjarët e të cilëve po trajtohen më këtë terapi që përdoret prej të sëmurëve me kancer.

Muhamet Zymeri thotë se nëna e tij trajtohet me “Herceptin” derisa në tri javët e fundit ka pasur mungesë të këtij ilaçi.

‘‘Nëna ime i merr çdo tre javë, kësaj here nuk ka mujt më e marrë se ka mungesë, me e pagu ish tepër shtrenjtë”, është shprehu ai.

Zymeri ka shtuar se shpesh herë ka mungesa edhe të barnave tjera e që detyrohen më i ble vetë.

Edhe një qytetar tjetër, i cili s’ka pranuar të flasë me emër, ka thënë se nuk ka mundur ta trajtojnë nënën e tij pasi ka munguar “Herceptin”.

‘‘Nëna ime çdo tri jave e ka nga një seancë më këtë ilaç, dhjetë i ka kry i ka edhe shtatë por nuk ka mujtë më e marrë më kohe pasi ka mungu, jam t’u pritë mos po vjen këto ditë nëse jo detyrohem me e ble vetë pasi nuk guxoj me e lanë nanën gjatë pa terapi’’, u shpreh ai në kushte anonimiteti.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak te mungesës së buxhetit.

‘‘Po, i kemi marrë informatat në Barnatoren Qendrore, kanë thanë qe ka pasë mungesë buxheti, por ilaçi vjen deri të martën”, ka thënë ai.