Thaçi i reagon BE-së: Dëshmojeni që jam gabim për Lajçakun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është në interes të Kosovës dhe në interes të kredibilitetit të BE-së që ministri i jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak të mos emërohet i dërguar special për dialogun nga ana e BE-së.

Këto komente, Thaçi i bëri përmes Twitterit, pasi që nga BE-ja i reaguan se Lajçak nuk është emëruar i dërguar special.

Thaçi tha se e mirëpret BE-në t’ia dëshmojë që e ka gabim, pasi që një gjë e tillë është gabim strategjik i saj sa i përket procesit të dialogut.

Thaçi shtoi se Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Kam dëshirë që BE-ja ta dëshmojë që jam gabim për emërimin e Lajçakut si i dërguar special për dialogun. Kjo do të ishte në interes të Kosovës dhe do ta përmirësonte kredibilitetin e BE-së. Argumenti im nuk lidhet me procedura të brendshme, por me gabimet strategjike. Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka votuar kundër nesh në UNESCO”, ka shkruar Thaçi.