Thaçi: Kosova të përfshihet në strategjinë e KE-së

Kosova duhet të jetë e përfshirë në strategjinë e re të Komisionit Evropian për zgjerim sikurse të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor.

Kjo ishte kërkesa e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, në forumin ekonomik botëror të mbajtur në Davos të Zvicrës, që temë kishte përshpejtimin dhe zhvillimin afatgjatë të këtij rajoni në BE. Pas diskutimeve u tha se Kosova është e përfshirë në këtë strategji, por vendi duhet të kryej edhe detyrat e veta.

Një prej tyre është respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hashim Thaçi deklaroi për RTK-në në Davos, se me strategjinë e re për Ballkanin perëndimor që do të prezantohet nga presidenti i komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në muajin shkurt, krijohet edhe një mundësi që Kosova t’i marrë përsipër obligimet e saj dhe që vendi të jetë i përgjegjshëm përballë kërkesave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.