Thaçi krenar me ushtrinë e Kosovës: Së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s

Sot mbushën 21 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova e fitoi lirinë para 21 viteve.

Ai thotë se rrugëtimi i ushtrisë sonë ishte rrugëtim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, teksa nderon të gjithë gratë dhe burrat që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë.

“Jemi krenarë me ushtrinë e Kosovës, e cila së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë”, shtoi Thaci.

Postimi i plotë:

Kosova e fitoi lirinë para 21 viteve. Në ditët e para të lirisë filloi edhe transformimi politik dhe shoqëror i vendit tonë. Me marrëveshje me aleatët tanë dhe NATO-n filloi demilitarizimi dhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Pas jetësimit të aspiratave për pavarësi, në vitin 2009 e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në fund të vitit 2018 e themeluam edhe ushtrinë e Kosovës. Rrugëtimi i ushtrisë sonë ishte rrugëtim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nderime dhe respekt për të gjitha gratë dhe burrat që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë. Jemi krenarë me ushtrinë e Kosovës, e cila së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë. HTH