Thaçi me akuza ndaj zyrtarëve të LVV-së: Kanë qenë në anën e gabuar të historisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë akuza në drejtim të zyrtarëve të Vetëvendosjes për procese të ndryshme historike.

Thaçi në “Debat Plus”  në RTV Dukagjini ka folur për vizitën e fundit në Uashington dhe Bruksel.

“Qëllimi i vizitës ka qenë për të parë se si po shkojnë zhvillimet aktuale dhe ku është e pozicionuar Kosova karshi perspektivës Euro-Atlantike. Vizita në Bruksel pikë së pari ka qenë për liberalizimin e vizave e më pas edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe marrëveshjen e mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe punët që ne duhet t’i kryejmë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Presidenti ka vlerësuar si të arritur historike marrëveshjen ekonomike në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thotë se tashmë është e qartë se ka ardhur momenti që në tavolinë të hidhet tema e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pika e parë duhet të jetë njohja, pastaj pikat tjera janë shumë lehtë të kalueshme. Por nuk mendoj se duhet të diskutojmë për çështje që kemi diskutuar tash e dhjetë vite”.

I pari i vendit ka ripërsëritur se nuk do të ketë “thika” mbi Kosovën.

“Ata që kanë përmendur këto teza le të kërkojnë falje para popullit të Kosovës”.

Thaçi ka akuzuar Vetëvendosjen se ka qenë në anën e gabuar të historisë.

“Unë kam qenë në anën e drejtë të historisë edhe kur është nënshkruar marrëveshje e Rambujesë, ndërsa zotërinjtë kanë qenë kundër bombardimeve të NATO-s dhe e kanë quajtur okupatorë NATO-n në Kosovë. Gjithashtu edhe procesin e themelimit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës e kanë parë si kapitullim të Kosovës ndërsa këto trupa rezultuan me formimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe Pavarësinë e Kosovës e kanë quajtur diçka të pa mjaftueshme dhe nuk kanë besuar se do të ndodhë. Kosova u dëmtua edhe nga mollotovët e tyre, gazin lotsjellës që e kanë gjuajtur, madje edhe kanë dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave”, tha ndër të tjera Presidenti Thaçi.