Thaçi, Mustafa e Haradinaj nuk dëshmojnë në rastin “Veteranët”

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa të dëgjohen si dëshmitarë në gjykimin e rastit “Veteranët”. Kjo ka qenë kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, Fadil Shurdhaj, Skender Musa.

Për refuzimin e këtij propozimi, ka njoftuar kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, duke mos dhënë ndonjë arsyetim lidhur me këtë vendim.Gjatë kësaj seanca Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë edhe administrimin e provave lidhur me rastin. Prokuroria kërkoi që të bëhet publikimi në ekran i disa nga aplikacioneve sa janë gjithsej 19 e 500 që konsiderohen si veteranë që nuk duhet ta gëzojnë të drejtën e benificionit , por kjo ide u kundërshtua nga të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre.

Të akuzuarit kërkuan që ose të vendosen në ekran të gjitha ose asnjë. Në lidhje me këtë përzgjedhje të 19.500 aplikacioneve, kryesuesja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj kërkoi sqarime nga prokurorët e rastit Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi, se në çfarë baze është vlerësuar se nga 46.230 aplikacionet, janë veçuar 19.500 aplikacione si përfitues të parregullt, pasi sipas saj, në gjykatë kanë arritur shumë shkresa me të cilët shumë persona thonë se gjendën në ato lista, por kanë qenë veteranë.

Prokurori Special Enver Krasniqi tha se për identifikimin e kësaj liste janë bazuar në aplikacionet e përfituesve dhe ligjet në fuqi për veteranët e luftës së UÇK-së.

Duke e parë kundërshtimin e të akuzuarve për publikimin të vetëm disa aplikacioneve, trupi gjykues mori vendim që të administrohet si provë e lexuar, por që të mos publikohet në ekran asnjë aplikacion, pasi mbrojtja i posedon këto aplikacione.

Ish-kryeministri, i akuzuari në rastin “Veteranët, Agim Çeku lidhur me këtë listë tha se e konsideron të mangët këtë provë, pasi shumë prej atyre që figurojnë në listë janë veteranë dhe i njeh ai.

Sipas tij, Prokuroria është marrë kryesisht vetëm me gabimet teknike që kanë qenë nëpër aplikacione.

Çeku madje tha se Prokuroria ka shikuar aplikacionet me dispozita ligjore, por ka bërë gabim të madh pasi shumica e atyre aplikacioneve kanë qenë staf mjekësor apo kanë qenë në logjistikë e në fakt kanë qenë veteranë-luftëtarë.

Edhe i akuzuari tjetër, Shkumbin Demalijaj pati vërejtje karshi kësaj prove të paraqitur nga Prokuroria Speciale.

Sipas tij Prokuroria nuk i ka shfrytëzuar edhe ankesat e këtyre aplikuesve, por vetëm ka marrë aplikacionet.

Ish i akuzuari, Shukri Buja këto prova i ka konsideruar si të njëanshme, pasi sipas tij si provë janë jo relevant dhe nuk i shërbejnë këtij procesi gjyqësor. Buja madje tha se në listën prej 19. 500 përfituesve të rregullt janë futur edhe eprorë të zonave të cilët ai tha se do t’i ftojë për të dhënë dëshmi.

Pas administrimit të provave në pjesë e parë të seancës, kryetarja e Trupit Gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj mori vendim që mediave t’u ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitarëve derisa të përfundojë dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja.

Në këtë pjesë dëshminë e tyre e dhanë dëshmitari, Halil Qadraku dhe Metush Kryeziu. Ndërsa seanca për “Veteranët” vazhdon edhe nesër ku dëshminë e tyre do ta japin Vesel Maliqaj dhe Zenel Zekolli.

Ndryshe, në shtator 2018 , Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./KosovaPress/