Thaçi: Nuk mund të arrihet një marrëveshje pa demarkimin e kufijve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë në një lidhje në emisionin “Opinion”, se nuk mund të ketë një marrëveshje Kosovë- Serbi, pa demarkimin e kufijve. Teksa foli për takimin e 27 Qershorit në Uashington, Thaçi tha se takimi i Uashingtonit nuk do të sjellë njohjen reciproke, por mund të hapë mundësinë këtij procesi që të ndodhë në të ardhmen e afërt.

I pyetur nëse çështja e kufirit do të diskutohet në këtë tryezë, Thaçi tha:

“Unë nuk mendoj se takimi i Uashingtonit do të sjellë njohjen reciproke, por mund të hapë mundësinë e këtij procesi që të ndodhë në të ardhmen e afërt. Nga ana tjetër nëse nuk arrihet një marrëveshje që rezulton me implementimin e plotë të vullnetit të njerëzve në Kosovë dhe Serbi, e ka deklaruar qartë Ambasadori Grenell do të ketë rikthim në “status quo” që do të thotë ngrirje  apo shtrirje e atij konflikti që e kemi mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ketë pasoja në rrafshin ekonomik, social, politik, por dhe atë të diplomacisë. Një marrëveshje përfundimtare mes shtetit të Kosovës edhe Serbisë nuk mund të arrihet pa demarkimin e kufijve dhe kjo duhet të ndodhë mes ekspertëve të dy vendeve”.