Thaçi për Gjykatën Speciale: Ka diskurs të pastër serb

“Është institucion politik, qartazi kundër UÇK’së, kundër reputacionit të UÇK’së dhe historisë tonë në përgjithësi dhe në fund të fundit po përdoret për çka edhe u nis, për diskualifikim politik, pra e njerëzve që kanë menduar se kjo është mënyra më e mirë për t’i diskualifikuar prej skenës politike njerëz që dikujt s’i kanë pëlqyer”, tha Thaçi.

“Duhet me gjet ndonjë termë tjetër të përshtatshëm për këtë institucion sepse nëse themi Gjykatë, e ofendojmë gjyqësinë, drejtësinë më po e po”, theksoi Thaçi në emisionin Pressing në T7.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.