Thaçi tregon “dy zhvillimet pozitive” që dolën sot nga qeveria

Opinionisti Jusuf Thaçi ka thënë se sot nga Qeveria e Kosovës kanë dalë dy zhvillime pozitive, që lidhen me publikimin e konkursit për subvencionimin e energjisë si dhe dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi.

Thaçi ka thënë se këto zhvillime vijnë si rezultat i reflektimit të qeverisë pas kritikave objektive.

Postimi i plotë i Thaçit:

Sot nga qeveria e Kosovës patëm dy zhvillime shumë pozitive, të cilat besoj që janë edhe si rezultat i reflektimit të qeverisë ndaj kritikave objektive, të qëndrueshme e qëllim-mira që kanë ardhur nga qytetarët.

1. Sot qeveria publikoi konkursin për subvencionimin e efiçiencës së energjisë elektrike për qytetarët, përmes së cilit mijëra familje do të përkrahen praktikisht dhe më shuma domethënëse për të kursyer energji elektrike (rrjedhimisht për të kursyer edhe shpenzime në të ardhmen).

2. Sot dha dorëheqje ministri i shëndetësisë, i cili, me të drejtë, ishte ndër më të kritikuarit e kësaj qeverie dhe i cili u dëshmua që nuk di ta ministrojë këtë sektor.

Prandaj, këto zhvillime duhet përshëndetur nga të gjithë ata që kritikën ndaj qeverisë e bëjnë me qëllim të përmirësimit të qeverisjes dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.