Theu masën e sigurisë/ U konfliktua me dy persona, arrestohet 28-vjeçari në Korçë (DETAJE)

Një i ri 28-vjeçar është arrestuar pasditen e sotme në fshatin Braçanj në Devoll, pasi theu masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe u konfliktua me dy persona.

Në njoftimin zyrtar të dhënë nga Policia e Korçës, thuhet që 28-vjeçari me inicialet D. M. 28-vjeç ishte përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasit D. K., 48 vjeç dhe djalin e tij Dh. K., 20 vjeç.

Policia pas shkuarjes në vendngjarje ka konstatuar që 28-vjeçari kishte thyer edhe masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, masë e dhënë më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për një vepër penale të kryer në fushën e krimeve kundër jetës së personit.

Mësohet se është proceduar penalisht edhe vëllai i tij, si bashkëpunëtor i dyshuar në ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Devoll

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti.

Theu masën e sigurisë dhe u konfliktua me dy shtetas të tjerë, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari.

Procedohet penalisht edhe vëllai i tij, si bashkëpunëtor i dyshuar në ngjarje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Braçanj, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes ku kanë konstatuar se shtetasi D. M., 28 vjeç, pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për një vepër penale të kryer në fushën e krimeve kundër jetës së personit, në bashkëpunim me vëllain e tij shtetasin D. M., 28 vjeç, për motive të dobëta po konfliktoheshin fizikisht me shtetasit D. K., 48 vjeç dhe djalin e tij Dh. K., 20 vjeç, banues në fshatin Braçanj.

Ndërhyrja në kohë e Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. M., si edhe fillimin e procedimit penal ndaj vëllait të tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Plagosja e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

Shekulli