Thikën në fyt dhe e çarmatosën gardianin! Arratisen 4 të burgosur në Greqi, mes tyre 2 shqiptarë

Dy shqiptarë dhe dy gjeorgjianë janë arratisur nga qelia e një burgu në Athinë rreth orës 04:00 të ditës së sotme. Ata ishin transferuar nga burgu famëkeq i Koridhlos në një tjetër në Athinë pas disa përplasjeve mes bandave.

Në orët e para të ditës së sotme njëri prej tyre ka inskenuar duke u shtrirë në qeli sikur ishte sëmurë, ndërsa gardiani ka hapur derën e burgut për t’i ardhur në ndihmë. Në këtë moment tre të burgosurit e tjerë shqiptarë dhe gjeorgjianë i kanë vendosur thikën në qafë duke e kërcënuar dhe çarmatosur rojen.

Të katër të burgosurit morën armën duke kërcënuar gardianët e tjerë, ndërsa më pas u arratisën. Pas dhënies së alarmit forcat greke u mobilizuan me shpejtësi me disa patrulla dhe helikopter mbi Athinë duke kapur njërin prej tyre.

Identiteti i tre të burgosurve që vijojnë që të jenë ende në arrati dhe atij që u arrestua nuk jepen nga mediat greke. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët arrijnë që të thyejnë sigurinë e burgjeve greke duke u arratisur.