Thirrja e presidentit të KOK-ut, Besim Hasani, për ta votuar Ligjin për të ardhurat në Korporata

Të nderuara dhe shumë të respektuara deputete e deputetë të Republikës së Kosovës

Pas bisedave dhe konsultimeve me disa nga ju, të gjithë keni qenë të gatshëm ta votoni Ligjin për të ardhurat në Korporata! Megjithatë, disa nga ju, keni shprehur edhe shqetësime tuaja për implikime buxhetore, e sidomos për keqpërdorime të mundshme!
Bazuar në përvojën time të gjatë në Lëvizjen Olimpike të Kosovës, mund të ju them se është e njohur botërisht se investimet në sport që i bënë shteti, ato investime i kthehen shtetit të dyfishuara, e në disa shtete me sport të zhvilluar, madje të gjashtëfishuara! Një shembull shumë i freskët.

Dy ditë më parë, Sesioni i KON-it, ia besoj Italisë organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore për vitin 2026. Shteti i Italisë, për shtatë vitet në vijim, në infrastrukturën sportive dhe jo vetëm, do të investojë një miliardë Euro! Pritshmëritë e organizatorit janë se pas Lojërave Olimpike Dimërore, do të gjenerohen pesë miliardë Euro! Pra, pesëfishim i investimeve!
Sa i përket dyshimit se mund të ketë keqpërdorime, po ju siguroj se Rregullorja në fuqi nuk lenë fare hapësirë për keqpërdorime e opinion të njëjtë për Rregulloren ka edhe Ministri aktual i Financave!

Përtej kësaj, të nderuar deputetë, me votën tuaj PËR, ju do ndikoni në rritjen e numrit të fëmijëve që do të përfshihen në sport, me votën tuaj PËR, ju do të ndikoni në rritjen e numrit të të punësuarve, sidomos në sektorin e sportit, do ta ruani dhe përmirësoni shëndetin e popullatës dhe do ta ulni krimin! Besoj, do të ndikohet edhe në uljen e numrit të të rinjve që po ikin nga Kosova.

Krejt në fund, dua të jeni unik, dua të jeni të gjithë PËR, pa dallim përkatësie partiake, ashtu siç jeni unik në mbështetje të sportistëve të Kosovës kur ata përfaqësojnë Kosovën!
Le të jetë 27 qershori një ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, ashtu siç ishin ditë gëzimi fitoret e Kombëtares në futboll dhe, së fundmi, medaljet e Ekipit Olimpik të Kosovës në LE Minsku 2019!

Gëzoni sportistët siç ata po ju gëzojnë juve!
Nderoni sportistët, ashtu si ata po e nderojnë Kosovën!