Thyhet lokali ‘Street Style’ në Prishtinë, hajnat vjedhin arkën me para

Gjatë 24 orëve të fundit, hajnat në Prishtinë kanë zhvilluar “aksion”, duke kryer vjedhje të ndryshme. Ndër bizneset që ishte cak i tyre është është lokali i veshmbathjeve Street Style, që gjendet në rrugën “Bill Clinton”, raporton Gazeta Sinjali.

Vjedhja dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës, kur persona të panjohur kanë depërtuar brenda me forcë, duke thyer lokalin dhe prej aty kanë marrë arkën me një shumë të konsiderueshme parash.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga pronarja e lokalit, e cila ka deklaruar se e ka gjetur lokalin të thyer nga hajnat.

Si rezultat i raportimit të rastit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të tij, është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.