Tifozët “Kuq e Zi” reagojnë për koncertin e “Riblja Çorba”: A e konsideroni Leposaviqin pjesë të Kosovës apo jo?

Fifozët e Kombëtares së Shqipërisë “Kuq e Zi” kanë reaguar ndaj koncertit të grupit muzikor serb “Riblja Çorba”, që po mbahet në Leposaviq.

Në reagimin e këtij grupi thuhet se si ka mundësi që institucionet e Kosovës nuk reagojnë lidhur me këtë ngjarje, ndërkohë që ka ditë që protestohet për t’u tërhequr tjetri këngëtar sllav, Goran Bregoviq, nga koncerti i Bashkisë së Korçës.

Tifozët “Kuq e Zi” kanë bërë thirrje që të bojkotohet ky koncert.

“E ndërsa kemi ditë që protestojmë për të tërhequr ftesën e Goran Bregovic nga Korça jonë e dashur, një goditje e radhës vjen po ashtu nga veriu i Dardanisë autoktone! Po mirë Shqipëria administrative o vëllezër pati një lajthitje (me dashje apo pa dashje), po si ka mundësi që Republika e Kosovës e lejon një çetnik të përbetuar antishqiptar që të përformojë brenda kufinjve shtetëror?!”.

“Si është e mundur që institucionet e Kosovës nuk reagojnë dhe nuk e ndalojnë këtë ftesë?! A e konsideroni Leposaviqin pjesë të shtetit të Kosovës apo jo?!”.

“Plagët nga regjimi i Milosheviçit janë të hapura për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, brenda dhe jashte kufijve! Prandaj nuk mund të rrimë pa reaguar për këtë TURP të radhës që po ndodh mu në mesin tuaj!”.

“BOJKOTONI çetnikun Bora Gjorgjeviq! NDALONI përformancën e tij në Dardani!”.