Tifozët shqiptarë me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë i tërbojnë serbët në Finlandë

Mediat serbe janë ankuar se disa tifozë shqiptarë e kanë ofenduar klubin serb Crvena Zvezda para ndeshjes kundër HJK-së, në Ligën e Kampionëve në Helsinki.

HJK-ja e mposhti Zvezdën 2:1 në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve të mërkurën, por klubi serb kalon në rundin e tretë me rezultat të përgjithshëm 3:2 falë fitores 2:0 në shtëpi në ndeshjen e parë, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, në Serbi ankohen se gjashtë tifozë shqiptarë, të mbështjellë me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë, ua kishin prishur atyre qetësinë dhe e kishin ofenduar Zvezdën para fillimit të këtij takimi.

Pas ankesave të gazetarit të Kurir, ata janë zhvendosur në një tribunë tjetër nga sigurimi në stadiumin e Helsinkit.

Kjo ngjarje vjen një jave pasi tashmë ish-trajneri dhe disa futbollistë serbë nuk u paraqiten për Slovan Bratislavën kundër Feronikelit me kërkesë të Qeverisë së Serbisë dhe në stadiumin e klubit sllovak u dëgjuan thirrje politike dhe nacionaliste kundër Kosovës të orkestruara nga tifozët serbë.