“T’mys si asimtaren, kom me ta mytë nanën”| Prishtinasi ia vë thikën në fyt gruas së tij, të gjithë skenën e sheh vajza e vogël

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e frikshme ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në një familje në rrugën ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ në kryeqytet, ku një kryefamiljar ka terrorizuar bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.

Sinjali mëson se pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit, 44-vjeçari ka kërcënuar bashkëshorten e tij të cilës ia kishte vënë thikën në fyt, duke i thënë se do të të mbys si arsimtaren, duke aluduar në rastin tragjik që ndodhi dje në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se vrau me sëpatë bashkëshorten e tij.

Të gjithë skenën e tmerrshme e ka parë dhe përjetuar edhe vajza e mitur e çiftit, e cila kishte hyrë në dhomën e prindërve pasi kishte dëgjuar britmat e nënës së saj. Ajo kishte ndërhyrë duke lutur babain e saj që të ndalet, por i njëjti kishte vazhduar me kërcënime duke i thënë se do ta mbys nënën e saj.

Përpos kërcënimeve, i dyshuari ka përplasur për muri edhe vajzën e mitur të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Ndërkohë për rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kapur në flagrancë me thikë në dorë të dyshuarin i cili është arrestuar menjëherë.

Gruaja bashkë me vajzën e saj kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Kujtojmë që shumë raste të denoncimeve për dhunë në familje hasin në vesh të shurdhër nga ana e shtetit. Kështu ka ndodhur me shumë gra të cilat janë privuar nga jeta nga bashkëshortët e tyre, pavarësisht thirrjes për ndihmë dhe mbrojtje institucionale.

Rasti i fundit tragjik u shënua dje, ku 70-vjeçari Izet Godeni dyshohet se në mënyrë makabre ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 63-vjeçare, Sadije Godeni, e cila ishte mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në kryeqytet.

Godeni me vendim të Gjykatës është dërguar në paraburgim për 30 ditë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.