Trazirat në SHBA/ Reagon Johnson: E turpshme, pushteti të transferohet paqësisht

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson i ka përshkruar si të turpshme skenat në Uashington, ku protestuesit “pro Trump” “pushtuan” Kongresin e SHBA, në seancë për çertifikimin e votës elektorale të  zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Johnson në fjalën e tij ka kërkuar një transferim paqësor të pushtetit.

“Skena të turpshme në Kongresin e SHBA. Shtetet e Bashkuara kërkojnë demokraci në të gjithë botën dhe tani është jetësore që atje të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit,” tha Johnson.

Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden, në një konferencë për shtyp shprehu zhgënjimin e tij për situatën e krijuar në Kongresin amerikan, ku mbështetës të Presidentit Trump u futën në godinë, duke përdorur forcën.

“Po kërcënohet siguria e zyrtarëve të zgjedhur, kjo nuk është protestë. Eshtë kryengritje. Po na sheh gjithë bota. Ashtu si shumë amerikanë të tjerë, unë jam i tronditur dhe i trishtuar që kombi ynë, që ka qënë për kaq kohë feneri i dritës dhe shpresës për demokraci, ka mbërritur në një moment kaq të errët”, tha Biden.

Trump nga ana e tij ka bërë thirrje protestuesve që të shkojnë në shtëpi dhe të ketë paqe.

Ai tha se e di që mbështetësit e tij ndihen të lënduar dhe u dhemb pasi sipas tij zgjedhjet u vodhën, por duhet respektuar ligji dhe rendi, prandaj askush s’duhet të lëndohet nga protestat e dhunshme./Fokusi.info/