Tre kirurgët e Spitalit të Vushtrrisë që dyshohet se iu morën para pacientëve për operacione

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tre kirurgë janë duke u hetuar si të dyshuar për korrupsion në spitalin e Vushtrrisë. Në njoftimin e lëshuar MSh deklaron se do të marrin masat e parapara ligjore.

“Në lidhje me rastin e raportuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, ‘Shekih Zajed’ së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në njoftim.

Zekaj i cili po hetohet nga Prokuroria në Mitrovicë nën dyshimet për marrje të ryshfetit nga pacientët për të kryer operacionet, është emëruar në pozitën e anëtarit të Bordit Drejtues të SHSKUK-së në korrik të vitit të kaluar nga Qeveria Kurti në kohën kur MSH udhëhiqej nga Rifat Latifi.

Isuf Zekaj bashkë me dy kolegë të tij kirurgë, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj, janë duke u hetuar pasi dyshohet se kanë marrë para nga pacientët gjoja se për të blerë materialet e nevojshme për operacion.