Trendafilova: Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe ne kemi të drejtën të mos përfshihemi në çfarëdo diskutimi politik

Gjatë takimit të mbajtur përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të protestojë dhe se DhSK kanë të drejtën të mos përfshihen në çfarëdo diskutimi politik.

Ndryshe, gjatë të martës, DhSK, kanë njoftuar se pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me kryetaren e Dhomave të Specializuara, gjykatësen Ekaterina Trendafilova, është vendosur që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit.

Duke u përgjigjur në pyetje, ajo tha se arsyeja kryesore e vizitës së saj ishte për të takuar gazetarë, kolegë, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe të flasë hapur lidhur me mandatin e punës së DhSK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo ka qenë arsyeja, nuk ka kurrfarë kundërshtimi, njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, qytetarët kanë të drejtë të protestojë dhe ne kemi të drejtën të mos përfshihemi në çfarëdo diskutimi politik. Ne nuk jemi politikanë, gjyqtarët e një institucioni gjyqësor dhe gjyqtarët e DhSK nuk përfshihen në politikë, nuk diskutojnë për politikën, nuk jemi të gatshëm të hyjmë në diskutime politik”, tha ajo.

Tutje, deklaroi se në mënyrë që të shmangin çfarëdo situate të pakëndshme, kanë marrë vendim të mbajnë online këtë takim.

“Preferoj gjithsesi të ishim takuar fizikisht sepse takimet fizike i preferoj shumë më shumë”, tha tutje ajo.

Trendafilova, gjatë përgjigjes në pyetje të gazetarëve, deklaroi se sigurisht që është e pakëndshme që të vendosesh të mos mbash një takim fizik.

“Ne vendosëm kështu, unë erdha këtu për tu takuar me njerëz dhe biseduar, megjithatë nuk jam politikane, ju po i referoheni vitit të kaluar, ngjarjes kur dy djem të rinj erdhën dhe shprehën pakënaqësinë e tyre. Është detyrë e imja të flas me këdo që ka ndonjë shqetësim dhe dëshiron të shpreh atë shqetësim dhe madje i kam ftuar të vinë dhe drejtojnë pyetjet e tyre”, tha në vijim ajo.

Trendafilova sërish përmendi se nuk është politikane, pasi po të ishte e tillë, nuk do të ishte gjyqtare.

“Ky është një institucion i themeluar në bazë të parimeve të kësaj lëmie dhe parimet që qeverisin punën tonë janë pavarësia, paanshmëria dhe ne bëjmë një betim për këtë para se të pranohemi për të punuar, para se të përfshihemi në listat e punës në gjykatë. Me kënaqësi do të përfshihem në çfarëdo pyetje ligjore, çfarëdo shqetësimi, çfarëdo mosbesimi, por për diskutime politike, jam jashtë atyre, nuk kam njohuri për to dhe nuk do të duhej të futesha në ato diskutime”, tha ajo.

Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, deklaroi se është me rëndësi të kuptohet mandati dhe juridiksioni i DhSK-së.

“DhSK është themeluar për shkak të krimeve të rënda që kanë ndodhur në Kosovë në vitin 1999 dhe 2000, përveç është konsideruar se trajtimi i rasteve dhe administrimi i drejtësisë duhet të bëhet në mënyrë të përkushtuar dhe të ketë dhomë të veçantë gjyqësore”, tha ajo.

Tutje, foli lidhur me historikun e themelimit të Dhomave të Specializuara, shkëmbimin e letrave, miratimin e shkëmbimit të letrave, ndryshimet kushtetuese, miratimin e ligjit dhe themelimin e gjykatës në fjalë.

Trendafilova tha se mandati është të sigurohet paanësi, pavarësi dhe procedura të paanshme dhe ka juridiksion te krimet ndërkombëtare që janë kryer gjatë dhe pas konfliktit të Kosovës prej 1 janarit 1998 deri në dhjetor 2000 që ishin kryer nga ose kundër personave të Kosovë ose Republikës Federale të Jugosllavisë.

Sipas saj, Gjykata merret vetëm me përgjegjësinë individuale të individëve dhe DhSK nuk merren me organizata, grupe ose etni me përgjegjësi penale.

Ajo tha se DhSK dhe Gjykata Kushtetuese e bënë të qartë në aktgjykimin e 26 nëntor 2020 se mandati i DhSK dhe ZPS do të vazhdojnë derisa Bashkimi Evropian të njoftojë Kosovën për përfundimin e mandatit të saj dhe në Kushtetutë thuhet qartë në nenin 62.

Trendafilova tha se që nga shtatori 2020, gjykatësi i procedurës paraprake dhe trupa të ndryshëm gjykues, paneli i Supremes dhe ajo si kryetare e DhSK kanë lëshuar 1 mijë e 200 vendime prej të cilave rreth 200 ishin lëshuar verbalisht.

“Mbi 150 procedura gjyqësore janë mbajtur gjatë kësaj periudhe dhe kemi vazhduar me pranimin dhe shpërndarjen e tyre të ndihmuar nga një ekip i kolegëve më të rinj”, tha ajo.

Tutje, ofroi informacione lidhur me statusin e lëndëve, të cilat po trajtohen nga kjo gjykatë.

Sa i përket rastit Haradinaj e Gucati, bëri të ditur se është marrë aktgjykimi më 18 maj 2022 dhe të njëjtit janë dënuar për tri pika të aktakuzës, ku janë gjykuar me nga 4 vite e gjysmë burgim dhe gjobë në vlerë nga 100 euro.

“Dëshiroj të jap informata sa i përket performancës së trupit gjykues 2, është marrë nga fillimi me këtë rast dhe kanë filluar në tetor dhe e mbyllën rastin në fillim të shkurtit 2022. Ata e përcollën këtë rast për 22 ditë, janë mbajtur shumë seanca, janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve dhe 237 prova janë bashkëngjitur”, ka thënë ajo.

Në vijim, tha se aktgjykimi ishte lëshuar pas më pak se dy muajsh pas argumenteve përmbyllëse të palëve, ku potencoi se me Rregullore të Provave dhe Procedurave është e paraparë që aktgjykimi të nxjerret brenda dy-tre muajsh.

Sipas saj, rasti ishte i ndërlikuar proceduralisht, gjithashtu dhe trupi gjykues është dashur të marrë parasysh edhe rrethanat e tjera.

“Edhe pse rasti nuk është rast kundër njerëzimit apo krimeve të luftës, është i rëndësishëm për Dhomat e Specializuara dhe çdo sistem gjyqësor. Siç tha trupi gjykues, ky rast ka të bëjë me administrimin e drejtë të drejtësisë, integritetin e procedurave dhe lirinë nga frika të qindra personave që janë paraqitur si dëshmitar pranë Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo.

Trendafilova tha se rasti është para panelit të Apelit dhe do të shohin se si do të nxjerrë vendim paneli dhe si do të trajtojë këtë rast dhe aktgjykimin e trupit gjykues. Ajo shtoi se pritet që mund të ketë një aktgjykim përfundimtar, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2023.

Sa i përket rastit të Salih Mustafës, ajo tha se trupi gjykues zyrtarisht e mbylli rastin me fjalën përmbyllëse javën e kaluar, më 15 shtator.

“Pritet që ndoshta në fund të këtij viti nëse rrethanat nuk e pengojnë trupin gjykues për të nxjerrë aktgjykimin në këtë çështje qoftë në fund të këtij viti ose fillim të vitit 2023”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, njoftoi se për rastin e Pjetër Shalës, rasti tani do të jetë para trupit gjykues.

Lidhur me rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ajo tha se në këtë rast tanimë janë 32 viktima.

“Tashmë ekziston një njësi e viktimave që do të prezantojë gjykatësit të procedurës paraprake dhe 15 aplikantë viktima të reja dhe vendimet që u është mohuar ose lejuar pjesëmarrja viktimave dhe kjo është vendosur nga gjykatësi i procedurës paraprake”, ka thënë ajo.

Tutje, dha detaje lidhur me punën e Apelit, Supremes dhe Kushtetueses.

Trendafilova tha se Prokurorët e Specializuar dhe gjykatësit kanë arritur të sigurohen që procedurat do të jenë të drejta, efikase dhe me respekt të plotë të të drejtave të akuzuarve dhe sigurinë e atyre që dëshirojnë të paraqiten si dëshmitarë, që dëshirojnë të aplikojnë si viktima pjesëmarrës në procedurat gjyqësore.

Tutje, tha se DhSK dhe ZPS janë organe të pavarura nga njëra-tjetra dhe kanë marrë vetëm përgjegjësinë individuale dhe jo përgjegjësinë e organizatave.

“DhSK fokusohen vetëm në mandatin e vet. Kam parë në media që ka kritika sa i përket punës së gjykatës dhe gjithashtu ka njerëz që nuk besojnë në mandatin e DhSK-së. Si gjykatë ne nuk merremi me vendime politike, nuk angazhohemi në argumente për çështjen e rasteve që tashmë janë trajtuar nga gjyqtarët. Duhet të përmbushim mandatin tonë sipas Kushtetutës dhe ligjit për DhSK dhe shkëmbimit të letrave, duke siguruar procedura të drejta, pavarura dhe paanshme. Vendimet dhe aktgjykimet në raste do të flasin për vete”, ka thënë ajo.

Trendafilova kërkon të respektohen parimet e pavarësisë së Gjykatës nga legjislativi dhe ekzekutivi

Në takimin e mbajtur përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, gjatë përgjigjes në pyetje të gazetarëve, ka kërkuar që nga ana e legjislativit dhe ekzekutivit, të respektohen parimet e gjykatës.

Trendafilova, në takimin e së mërkurës, është pyetur rreth deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi kontrolli ndaj kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i përket Glauk Konfjucës, këtë pyetje e kam parë në media, është ngritur dhe nga ministrja e Drejtësisë nëse nuk gabohem, vetëm të jap disa pika shumë të qartë. Pikë së pari ne jemi gjykatë që bazohet në sundimin e ligjit dhe e dimë që sundimi i ligjit në çfarëdo shteti demokratike, çfarëdo shoqërie demokratike, obligon pavarësi të plotë absolute dhe paanshmëri në punën e tyre, kjo do të thotë që gjyqtarët nuk mund t’i nënshtrohen çfarëdo mbikëqyrje që vjen nga ekzekutivi apo legjislativi”, ka thënë ajo.

Tutje, vijoi duke diskutuar për parimet e drejtësisë, ligjin, kushtetutën dhe sipas saj mënyrën rigoroze në bazë të cilës përzgjidhen gjyqtarët në DhsK.

“Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, e cila është juriste, duhet të bazohen në këto parime që unë i përmenda”, tha Trendafilova në fund. /BetimipërDrejtësi