Tronditet Shën Petersburgu/ Shpërthen terminali i gazit

Një sulm i dyshuar me dron ukrainas shkaktoi një zjarr të fuqishëm, 25 të vrarë nga bombardimet në Donetsk

Një sulm i dyshuar me dron ukrainas ka shkaktuar një zjarr të fuqishëm në një terminal të eksportit të gazit pranë qytetit të Shën Petersburg.

Shpërthimi i fuqishëm detyroi kompaninë të pezullojë disa operacione atje. Kompleksi Ust-Luga, i vendosur në Gjirin e Finlandës rreth 170 km në perëndim të Shën Petersburgut, përpunon kondensimin e qëndrueshëm të gazit në nafta të lehta dhe të rënda, karburant avioni dhe naftë. Porti përdoret për të transportuar produkte të përpunuara në tregjet ndërkombëtare.

Autoritetet kanë vendosur zjarrin nën kontroll ndërsa nuk ka raportime për të lënduar. Lidhur me shpërthimin e së dielës pranë Shën Petersburgut, guvernatori rajonal Alexander Drozdenko tha se ishte vendosur alarmi i lartë pas incidentit në terminalin e prodhuesit të gazit Novatek.

“Një sulm i suksesshëm në një terminal të tillë jo vetëm që shkakton dëm ekonomik për armikun, duke i privuar pushtuesit mundësinë për të fituar para për të zhvilluar luftën në Ukrainë, por gjithashtu ndërlikon ndjeshëm logjistikën e karburantit për ushtrinë ruse,” thuhet në mediat ukrainase.

Nga ana tjetër të paktën 25 persona u vranë nga bombardimet në një treg në periferi të qytetit të Donetsk në Ukrainë. 20 persona të tjerë u plagosën në sulmin në periferi të Tekstilshchik, duke përfshirë dy fëmijë, pas sulmeve ruse.

Forcat ruse kanë marrë kontrollin e fshatit Krokhmalne në rajonin e Kharkiv të Ukrainës. Përparimi i vogël vjen pas një deklarate të ngjashme të bërë gjatë kësaj jave nga ministria e Mbrojtjes duke thënë se forcat e saj kishin marrë kontrollin e një vendbanimi të quajtur Vesele në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës. Rusia ka rritur sulmet rreth qyteteve lindore të Ukrainës si Kupiansk, Lyman dhe Avdiivka, megjithëse fitimet e saj kanë qenë modeste deri më tani.

Të dyja palët kanë shënjestruar infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës gjatë javëve të fundit. Ukraina ka paralajmëruar vazhdimisht se ushtria e saj po përballet me mungesa të mëdha municioni, por ka vendosur si objektiv prodhimin e një milion dronëve brenda këtij viti./O.S