Abrashi: Letra kërcënuese e Kurtit ndaj Kushtetueses është sinjal për diktaturë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë letra kërcënuese e drejtuar dje nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, në drejtim të Gjykatës Kushtetuese është sinjal për rrëshqitje në diktaturë.

Abrashi ka thënë se në tendencat e Kurtit për të kontrolluar gjithçka dhe duke kërcënuar edhe Gjykatën Kushtetuese, po rrëshqet në diktaturë.

“Duke u zhytur edhe më shumë në tendencat për të kontrolluar gjithçka, i është drejtuar me një letër kërcënuese Gjykatës Kushtetuese duke thënë se nëse merr për bazë ankesa tjera tregohet e anshme. Pra vendimet e çdo institucioni duhet të jenë në sinkron me të përndryshe ai tregohet i anshëm”, ka thënë ai.

Abrashi ka thënë se duke mos respektuar asnjë procedurë, kryeministri në detyrë  Kurti mori vendim për kufizimin e lëvizjes për shkak të pandemisë, e cila sipas tij, me pas u konfirmua si shkelje kushtetuese.

“Këto masa antikushtetuese janë vendosur nga qeveria pa votat e LDK-së. Kërkojmë urgjentisht të shfuqizohen vendimet për karantinim. Urgjentisht, Prishtina të hiqet nga karantina”, ka thënë ai.

Po ashtu Abrashi tha se Kurti po tregon lidhje dashurie me Serbinë, ku fillimisht hyjnë qindra mjekë pa asnjë kontroll, lejon pastaj strukturat e Serbisë ta kontrollojnë Veriun e Kosovës dhe në fund i referohet Kushtetutës së Serbisë, kushtetutë kjo që i referohet Kosovë si pjesë e saj.

“Albin Kurti që kur ka ardhur në pushtet ka treguar lidhje dashurie me Serbinë. Fillimisht hynë në Kosovë qindra mjekë pa asnjë kontroll. Lejoi ndërhyrjen e Qeverisë së Serbisë në Veri të Kosovës. Respektoi vendimin e Serbisë për karantiminin e Veriut. Qeveria e shkarkuar i referohet edhe Kushtetutës së Serbisë, kushtetutës e cila parasheh Kosovën si pjesë të Serbisë”, ka thënë Abrashi, ne nje konference per shtyp nga selia e LDK.