Turistët e huaj “mbipopullojnë” Krujën: Në Shqipëri të presin krahëhapur (video)

Qyteti i Krujës, 32 km larg nga kryeqyteti Tiranë, është një qendër e rëndësishme turistike në Shqipëri, jo vetëm për pozitën e favorshme gjeografike, që gjendet në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit, por edhe për historinë e traditën që mbart.

Kruja historike dhe e kulturës gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku është e tejmbushur me turistë nga çdo vend i Europës, pasi turistët në këtë qytet gjejnë një mozaik vlerash ku ndërthuret tradita, kultura, historia dhe punimet artizanale.

Në gjashtë mujorin e parë të 2019 muzetë e Krujës janë vizituar nga 43 mijë vizitorë. Shumica e vizitorëve janë nga Polonia, Gjermania, Izraeli dhe nga vendet nordike.

Gjatë këtyre ditëve Agjencia Telegrafike Shqiptare ka udhëtuar drejt Krujës dhe gjëja e parë që të binte në sy ishte transformimi modern i qytetit i ndërthur me traditën dhe grupe të ndryshëm turistësh të cilët dukeshin mjaft të tërhequr nga ky qytet.

Turistët në Krujë gjendeshin kudo në pikat më atraktive të qytetit si në pazarin karakteristik, në kala dhe në muzetë ku ajo që të binte në sy ishte që çdo turist kishte patjetër një suvenir nga ky qytet.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare turistët nga Austria, Italia, Hungaria etj, shprehën përshtypjet e tyre dhe ajo çka i kishte i kishte pëlqyer më shumë ishte historia e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, pazari me punimet tradicionale si dhe muzeu i Krujës i cili është një itinerar njohës për turistët e huaj si dhe kulinaria dhe mikpritja krutane.

“Unë jam nga Austria dhe gjendem këtu për pushime që prej një jave. Kjo është hera e dytë që jam në Krujë. Ne erdhëm të martën këtu, por na pëlqeu kaq shumë sa u kthyem sërish. Ne ishim në Tiranë, ishim në Durrës dhe këtu në Krujë. Ne kemi planifikuar të shkojmë edhe në male, por nuk e di se ku. Në Krujë më pëlqeu shumë pazari, kështjella e Skënderbeut dhe natyrisht restoranti që gjendet pas meje. Është një atmosferë shumë e këndshme. Jashtëzakonisht të mirë. Kam qenë kudo i surprizuar. Ishim dje në Durrës dhe vizituam shumë gjëra. Pamë edhe një xhami dhe na pritën shumë mirë”, u shpreh turisti nga Austria.

Dy turiste thanë se, “ne jemi nga Karolina e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vizituam Tiranën. Është shumë bukur. Na pëlqyen shumë malet. Nga këtu mund të shohësh edhe detin. Është kaq bukur. Më pëlqen shumë. Ne vizituam kështjellën, na pëlqeu shumë. Më pëlqyen shumë akulloret. Njerëzit janë shumë të këndshëm. Ata përpiqeshin të na kuptonin edhe pse ne nuk flisnim asnjë fjalë në shqip. Janë super miqësorë”.

“Ne vijmë nga Italia, nga Bolonja. Në Krujë erdhëm dje. Kemi gjashtë ditë në Shqipëri. Ishim në Shkodër, në Theth, në Valbonë, në Shëngjin pranë detit dhe pastaj në Tiranë dhe tani këtu. Kruja është shumë e bukur. Histori e bukur, kështjella, rrënojat dhe Muzeu Etnografik shumë i bukur dhe interesant për të parë se si jetohej dhe pastaj rrugët dhe dyqanet. Të gjithë janë shumë të sjellshëm dhe u ndjemë shumë mirë. Ushqimi është shumë i mirë,sidomos ushqim tradicional”, tha turistja nga Italia e cila vizitonte Krujën së bashku me familjen e saj.

Një tjetër turiste tha se, “jam nga Bosnje-Hercegovina. Kjo është hera ime e parë këtu. Është shumë bukur dhe më pëlqen shumë të vij sërish. Pamja prej këtu më pëlqen shumë. Është e mrekullueshme. Çdo gjë është shumë e bukur. Ka ngjashmëri me kulturën e vendit tonë sepse është një përzierje me kulturën turke. Kështu që është e mrekullueshme. Këtë vit kemi ardhur për pushime. Kemi qëndruar në Durrës, kemi qenë në Tiranë dhe sot erdhëm këtu. Është shumë bukur. Dhe na pëlqen shumë. Mikpritja është e mrekullueshme. Kështu që ka gjëra për të përmirësuar, megjithatë çdo gjë është shumë bukur. Shpresoj të kthehem përsëri”.

Një tjetër turist nga Hungaria u shpreh se,”është hera ime e parë në Krujë dhe në Shqipëri. Më pëlqen shumë kështjella dhe malet e mrekullueshme. Më pëlqen i gjithë ky qytet, peizazhi, gjithçka. Më pëlqeu ushqimi dhe tregtarët. Ne do të qëndrojmë shtatë ditë në Shqipëri. Kemi qenë në Durrës dhe pastaj do të shkojmë në Tiranë. Pjesën më të madhe të kohës do të qëndrojmë në plazh në Durrës”.

Një çift të rinjsh nga Gjermania thanë se , “kjo është hera e parë në Krujë dhe kemi fjetur dy netë këtu dhe ka qenë shumë këndshëm. Na pëlqeu shumë kështjella dhe Muzeu Etnografik dhe ai i Skënderbeut nëse e shqiptoj saktë. Na pëlqeu shumë Skënderbeu. Ne nuk dinim kaq shumë gjëra për Shqipërinë, që otomanët kishin ardhur këtu dhe kishin luftuar. Histori interesante. Ushqimi është shumë i mirë, na pëlqen shumë. Ne erdhëm me anije në Durrës dhe pastaj shkuam në Shkodër, te kështjella e Rozafës, pastaj në Valbonë, pastaj u ngjitëm në male. Ishte shumë bukur. Pastaj erdhëm këtu. Gjëja që na bëri më shumë përshtypje janë njerëzit. Ata janë shumë të mirë. Çdokush është shumë miqësor. Ata të ftojnë për kafe, për pije për të ngrënë. Shumë, shumë të këndshëm”.

“Së bashku me shokët e mi jemi nga Ukraina. Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Kruja është vendi i parë që kemi vizituar deri tani. Aktualisht po qëndrojmë në Durrës. Na ka bërë shumë përshtypje pamja shumë e bukur, zonat malore dhe sidomos deti. Nuk është se e njohim mirë traditën dhe historinë e Shqipërisë, por na ka bërë shumë përshtypje ky vend i bukur. Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe socialë dhe janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre sa herë që na nevojitet ndonjë gjë”, thanë një grup të rinjsh nga Ukraina./atsh