Turqia dhe Rusia bien dakord për armëpushim në Idlib

Moskë – Turqia dhe Rusia kanë rënë dakord që duke filluar nga data 6 mars në ora 00:01, në linjën e kontaktit në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë veriperëndimore të ndalohen të gjitha aktivitetet ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).

“Protokolli Shtesë i Marrëveshjes për Stabilizimin e Situatës në Zonën e De-eskealimit në Idlib” u lexua nga ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Rusisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Sergey Lavrov, pas konferencës së përbashkët të liderëve të dy vendeve, Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin, në Moskë.

Sipas marrëveshjes së re, dy vendet riafirmuan angazhimet e forta për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, bazuar edhe në marrëveshjen e 4 majit të vitit 2017 për Formimin e Zonave të Deeskalimit në Siri dhe atë të 17 shtatorit të vitit 2018 për Stabilizimin e Situatës në Zonën e Deeskalimit në Idlib.

Palët kanë përsëritur vendosmërinë për të luftuar të gjitha manifestimet e terrorizmit dhe për të eliminuar të gjitha grupet që cilësohen si terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke theksuar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë.

Dy vendet po ashtu kanë nënvizuar se zgjidhja për krizën në Siri nuk mund të jetë ushtarake dhe se ajo mund të marrë fund vetëm nën kryesimin e sirianëve, me lehtësim të OKB-së dhe në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Palët kanë theksuar rëndësinë e parandalimit të përkeqësimit të krizës humanitare, mbrojtjes së civilëve, sigurimit të mbrojtjes dhe ndihmës humanitare për të gjithë sirianët në nevojë, pa kushte dhe diskriminime, dhe parandalimit të zhvendosjes së brendshme dhe kthimit të refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur brenda vendit në vendbanimet e tyre.

Sipas marrëveshjes, një korridor sigurie do të formohet me thellësi 6 kilometra në veri dhe 6 kilometra në jug të autostradës M4. Ndërkaq, rregullat dhe procedurat e hollësishme në lidhje me operimin e korridorit do të vendosen brenda shtatë ditëve nga ministritë e mbrojtjes së Republikës së Turqisë dhe Federatës Ruse.

“Patrullat e përbashkëta ruso-turke do të fillojnë më 15 mars 2020 përgjatë pjesës së autostradës M4 nga Trumba (2 kilometra në perëndim të Serakibit) deri në Ain al-Havr”, thuhet në dokumentin e dakorduar midis dy vendeve.