U morën të gjallë e tani figurojnë si të zhdukur, kjo është lista me emrat e fëmijëve

Ende mbi 1600 persona vazhdojnë të jenë në listat e të zhdukurve, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës e që Serbia nuk po tregon për vendndodhjen e tyre. Prej këtij numri, janë edhe 101 fëmijë që janë rrëmbyer të gjallë nga forcat serbe gjatë vitit 1999. E mos definimi për fatin e fëmijëve që figurojnë me status të zhdukur, ka shtyrë disa familje kosovare të mendojnë se fëmijët e tyre mund të jetë ende gjallë diku në Serbi.

Ndërkaq autoritetet vendore dyshojnë se një gjë e tillë mund të vërtetohet, duke marrë parasysh, mungesën e vullnetit nga ana e shtetit serb që të ofroj të dhëna që do të mund ta vërtetonin pohime të tilla, statusin apo vendndodhjen e tyre.

Në listën e emrave që u morën të gjallë nga forcat serbe, figurojnë fëmijë nga mosha 6 muajshe e deri në të moshën 17 vjeçare.

E që 20 vite në një mankth dhe dhimbje të tillë jeton edhe Nebih Morina nga fshati Samadragjë e Suharekës.

Ai për FaktePlus ka treguar se dy nipërit e tij Genci 4 vjeçar dhe Graniti 2 vjeçar, pas sa kohe u gjetën në varrezat e Batajnicës të vrarë nga forcat serbe në kohën e luftës.

Ndërkaq vajza e tij Mevlydja që ishte nënë e këtyre dy fëmijëve, ende vazhdon të figurojë si e zhdukur.

“Pas sa kohe si të zhdukur tani Genci 4 vjeçar dhe Graniti 2 vjeçar pushojnë në varret e familjes Berisha në Suharekë, por i zbrazur ka mbetur varri i nënës së tyre, vajzës time e cila ende nuk është gjetur”, nis tregimin e tij 75 vjeçari, familjarët e të cilit ishin vrarë në masakrën e njohur të familjes Berisha nga Suhareka.

Ai kujton ditën kur serbet ia vranë vajzën dhe dy nipat e tij, për të cilët thotë se nuk ka ditë që nuk i kujton me dhembje.

“Vajzat e mija kanë qepë uniforma të UÇK-së dhe nipi im Genci 4 vjeçar e kishte marrë fshehurazi në xhep një kapele me një embleme të UÇK-së, para se të niseshin për në Suharekë atë ditë. Vajza ime Mevlydja ka qenë e martuar në familjen Berisha. Mbasi kanë arrit në shtëpinë e tyre, unë kam fol në telefon më ta, dhe vajza më ka treguar se janë të rrethuar me tanke nga forcat serbe dhe kjo ishte hera e fundit që unë dëgjova zërin e tyre”, tregon plaku 75 vjeçar.

Morina shpjegon se dy nipërit e tij dhe vajza ishin vrarë brenda lokalit së bashku me anëtarët e tjerë të familjes Berisha në Suharekë, për t’u transportuar më pas në varrezat e Batajnicës në Serbi.

Kohën kur kalonte së bashku me dy nipat e tij tashmë të ndjerë, Nebih Morina e kujton me dhembje.

“Tash i kam edhe dy nipat e djalit dhe të dy më hidhen mbi shpinë që tu tregoj përralla, ashtu siç bënin dikur Genci dhe Graniti, e kësaj situate vërtetë nuk po mundem t’i bëjë ballë, sepse po më kujtohen ata dy pëllumbat e vogël që mi vranë”.

Ndërkaq sa i përket dyshimeve për fatin e fëmijëve të zhdukur gjatë luftës, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, ka thënë se gjitha rastet e personave të pagjetur sidomos fëmijëve trajtohen si raste të veçanta.

“Është aktualisht një pjesë e personave që kanë qenë në listën e personave të evidentuar si të zhdukur, por edhe viktima të luftës fatkeqësisht kanë qenë nga mosha 6 muajshe e deri nën moshën 18 vjeçare. Një prej varrimeve të fundit që kemi pasur është një foshnje 6 muajshe që është ekzekutuar në masakrën e Izbicës, e që është gjetur në një varrezë të jashtëligjshme në Petrovosellë në Serbi”, ka thënë Gara për FaktePlus.

Ai ka konfirmuar se aktualisht në listën e personave të zhdukur ekzistojnë ende një numër i të zhdukurve që janë nën moshën 18 dhe 16 vjeçare.

“Duhet të ritheksohet një fakt i rëndësishëm duke pas parasysh që kanë kaluar 20 vite pas luftës rastet trajtohen po them kushtimisht mbi bazën e rasteve individuale, dhe secili rast trajtohet mbi bazën e specifikave që ka si rast, duke aluduar në historinë e rastit duke qenë shumë të kujdesshëm në mënyrën se si e trajtojmë”, ka thënë tutje ai.

Gara tutje ka treguar se edhe në rastin e fëmijëve janë disa raste shumë specifike të cilat vazhdojnë të trajtohen si raste shumë specifike.

“Është me rendësi që të theksohet se edhe në kuadër të dialogut që e kemi që funksionon nga viti 2004-05, grupi punues për persona të zhdukur, njëra nga temat e veçanta apo rastet që janë adresuar nga delegacioni i Kosovës ka qenë pikërisht mënyra që çdo rast të trajtohet mbi baza të historisë së rastit apo kërkesës së familjes që këto raste të trajtohet në mënyre më specifike”, ka thënë Gara.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka listën e 101 fëmijëve që u rrëmbyen të gjallë nga forcat serbe. Në këtë listë ka fëmijë që në kohën e rrëmbimit ishin vetëm gjashtë muajsh. Edhe pas 20 vitesh nuk dihet nëse këta fëmijë janë vrarë apo mund të jenë gjallë diku nëpër Serbi.