U raportua se gazetari i Nacionales u arrestua për narkotikë, ai dhe Buzhala dalin me sqarime

Ditën e premte në media është raportuar se gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, është arrestuar për substanca narkotike.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Berat Buzhala i cili ka sqaruar se si ka ndodhur rasti, dhe se gazetari në fjalë është shkëputur nga puna, deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Buzhala është shprehur se para disa ditëve, policia gjatë një kontrolli, në veturën e Krasniqit ka gjetur substancë psikomantike, duke mos i përmendur emrin e llojit.

Ai është shprehur se Krasniqi atë natë ka qenë në një dasmë, dhe në afërsi të tij kanë qenë shumë njerëz të tjerë.

Buzhala ka treguar se gazetari Krasniqi i është lajmëruar vetë duke i treguar për rastin.

“Të nesërmen më ka thirrë në telefon dhe më ka tregu për këtë incident. I ka ardhë jashtëzakonisht keq për cfarë ka ndodhur dhe vullnetarisht ka kërku që të lirohet nga detyra deri në përfundimin e procesit gjyqësor”, ka shkruar Buzhala.

Përvec Buzhalës, një reagim publik e ka bërë edhe vetë gazetari Vullnet Krasniqi, i cili është shprehur se nuk është arrestuar dhe se vetëm është shoqëruar nga policia.

Ai ka thënë se gjatë kontrollit, policia ka gjetur “substancë për stimulim të mëtutjeshëm të fëstës”.

Tutje, Krasniqi është shprehur se është duke e vazhduar pushimin nga puna në Nacionale, në mënyrë që të mos dëmtojë vendin e punës dhe asnjë kolegë.

“Nje gje eshte e qarte: publikimi i lajmit ka nje qellim: me demtu Nacionalen”, ka shtuar Krasniqi.