Rritet “adrenalina” rreth Gjykatës Speciale

Sot është zhvilluar një “luftë”mediatike në mes udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së dhe udhëheqësve të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Faton Klinaku-sekretar i OVL-UÇK-së përmes një statusi në facebook në orët e mbrëmjes ka thënë se: “Presioni që po ju bëhet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si nga ndërkombëtarët e po ashtu edhe nga vendorët, quhet diktaturë”.

Në anën tjetër, gjatë ditës, nënkryetari i OVL-UÇK-së e ka quajtur ambasadorin amerikan Delaëie “palaço”. “Po (e quajta palaço) sepse ashtu u soll. Si palaço është sjellur dhe ashtu i kam thënë. Nuk është në kodin diplomatik, që të jesh diplomat dhe të sillesh si të jesh çoban, ti tregosh një populli çka duhet të bëjë. Nuk po jep shenja që po e ndihmon Kosovën. Ai e akuzoi UÇK-në se ka bërë krime. Në këtë mënyrë ai e ka akuzuar edhe Amerikën edhe NATO-n. Shteti mik duhet të qëndrojë si mik. Nuk duhet t’i thyejë rregullat demokratik, kishte thënë Haradinaj.

Mirëpo, edhe kryeministri Haradinaj edhe kryeparlamentari Veseli e kanë dënuar, siç kanë deklarua ata gjuhën kundër ambasadorit amerikan. “Në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me debat të brendshëm rreth Dhomave të Specializuara, gjuha fyese në këtë debat është e dënueshme për këdo”, ka shkruar Haradinaj. “Deklarimet fyese nuk i bëjnë nderë askujt dhe dëmtojnë proceset tona zhvillimore. Fyerja e shprehur publikisht e  Nasim Haradinaj është në kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave iu përkushtohemi si qytetarë të Kosovës”. “I bëj thirrje të gjithëve që të distancohen dhe të përmbahen nga të shprehurit e një fjalori të tillë ndaj kujtdo qoftë”, kishte shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli kishte thënë se: “Deklarata e dhënë sot nga një bashkëluftëtar i yni dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së është një fyerje që nuk duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë nga njerëz që i kanë dhënë shumë Kosovës, si Nasimi me familje. “Nuk dua ta theksoj sa rëndësi strategjike ka SHBA për Kosovën, se është e vetëkuptueshme kjo. Por është gabim të mendosh rolin e SHBA-së ndaras nga roli i ambasadorit” , ishte shprehur Veseli.

Mirëpo, kryetari i OVL-UÇK-së i ka dalë në ndihmë Nasimit. Gucati ka thënë: “ jam në gjendje të bëj gjithçka për Nasim Haradinajn, madje edhe të luftojë”. “Sido kudo nuk është e mirë që të përzihen ambasdorët në punën e grupeve paralamentare dhe deputetëve. Edhe nëse e ka quajt ai merr barrë dhe përgjegjësi. Nasim Haradinaj me më thir me luftu, unë luftoj për Nasimin, se e di kontributin e Nasimit”, ka thënë Gucati.